Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë të gjithë ditës së sotme.
Me anë të një postimi në Facebook, Cara tha se përkundër faktorëve meteorologjik, masat e marra nuk kanë asnjë vlerë, pasi sipas tij është e pamundur të rregullosh në pak orë atë që është shkatërruar me vite.
Jam i ndërgjegjshëm, që probleme si pasojë e “tekave” të motit ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por është e pashpjegueshme, që fondet publike të shpërdorohen për tekat e Ramës & CO.
“Masat” e ndërmarra përballë kësaj situate nuk kanë asnjë vlerë, pasi është e pamundur të ndreqësh në pak orë atë që ke shkatërruar ndër vite!
Në Durrës, sa herë ka reshje, ka përmbytje!
Në vend të investimeve për minimizimin e problematikave, “të pushtetshmit” preferojnë shpenzimet për luks dhe mbrëmjet gala.
Ndërkaq, përtej këshillave pikante në rrjetet sociale, shumë familje në periferi dhe njësitë administrative po përballen të vetëm me situatën e krijuar, të dorëzuar përballë pushtetit të ujit. Dëshpëruese!
E rëndësishme është që në vizitën e radhës në Durrës, deputetit Rama, t’i bien në sy lulet e sapo mbjella në rrethrrotullime!
Gjithmonë, nëse nuk përmbyten edhe ato!!!