BE anulon 28 milionë euro për Durrësin, ka rezerva për mungesën e transparencës nga qeveria

0
112

Projekti i nxitur nga kompani offshore dhe i mbështetur nga qeveria shqiptare për ndërtimin e marinës së jahteve dhe një blloku apartamentesh e hotelesh në vendin ku aktualisht ushtron aktivitetin porti më i madh tregtar i vendit e ka çuar Bashkimin Europian drejt një vendimi ekstrem në lidhje me financimet e tij në Shqipëri, duke nisur nga porti tregtar. Kështu, BE ka anuluar një grant prej 28 milionë euro që ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit. Këtë e bën të ditur për MCN vetë zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, e cila shpreh hapur rezervat për modifikimin e projektit dhe mungesën e transparencës nga qeveria shqiptare.

Si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, BE-ja ka anuluar grantin e mbetur të WBIF për investimin për projektin e mëparshëm të portit. BE-ja ka ndjekur diskutimet në Parlament rreth projektligjit për rizhvillimin e portit të Durrësit dhe është në pritje të sqarimeve nga qeveria.

Sipas përshkrimit në vetë uebsajtin zyrtar të autoritetit portual të Durrësit, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta. Partnerë dhe donatorë të këtij projekti që në total kapte shifrën e 62 milionë eurove ishin qeveritë e disa vendeve europiane përfshi, Gjermaninë, Francën, Italinë si dhe disa organizma të tjerë. Anulimi i grantit nga BE duket se do të çojë edhe në tërheqjen nga ky investim i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 25 milionë euro. Përtej kësaj, Zyra e BE në Tiranë thotë se projekti i marinës së jahteve është duke kaluar në supervizimin e BE-së pasi mund të bjerë ndesh me Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit.

Sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare. Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisë edhe për prioritetet e investimeve.

Vetëm dy ditë më parë, kreu i Autoritetit Portual në Durrës, Pirro Vëngu, tha gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se qeveria së shpejti do të hapë tenderin për portin e ri tregtar që do të zhvendoset në Porto Romano. Vetë ekipi negociator pranoi se nga darka e Nusretit ku ishte i pranishëm dhe biznesmeni i njohur Samir Mane deri në arritjen e marrëveshjes për marinën e jahteve, investitori këmbënguli që porti tregtar të çmontohej menjëherë, por kjo u refuzua nga qeveria./MCN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here