Në prag të zgjedhjeve vendore Bashkia e Tiranës ka bërë një tjetër tender për blerjen pemësh. Ky është prokurimi i 3-të i këtij lloji në vetëm në një muaj. Vlera mesatare për një pemë shkon deri në 130 euro.
Pas 8 vitesh në krye të Bashkisë së Tiranës, mandat në të cilin u denoncua për numrin e lartë të lejeve të ndërtimit dhe betonizimin e kryeqytetit, Erion Veliaj në prag të votimeve vendos të shpenzojë për gjelbërimin.
Në vetëm një muaj, janë hapur 3 prokurime me vlerë plot 528 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro.
Tenderi i fundit mban datën 21 nëntor me kërkesë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Institucioni që drejtohet nga Veliaj do të shpenzojë 199 milionë lekë, ose 1.7 milionë euro.
Me këto para do të blihen 13 660 pemë, mes të cilëve do të jenë rreth 5000 pemë bliri dhe po kaq do të jenë rrepe ndërsa 3 mijë do të jenë shegë.
Pjesa tjetër kërkohet të sigurohen manjola, selvi dhe panja të kuqe.
Sipas një llogari të thjeshtë mesatarisht çmimi i një peme do të jetë 14 mijë lekë, ose rreth 130 euro. Në datën 12 tetor Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit shpalli fituesin e tenderit prej 24 mijë eurosh për pyllëzim me akacie në Njësinë Administrative Pezë me një procedurë pa konkurrim.
Gjithashtu në datën 15 nëntor Drejtoria e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, shpalli tenderin për të blerë pemë dekorative për zona të ndryshme të Tiranës.
*Ky është artikull ekskluziv i Ora News,