Anëtari i Kryesisë së PD, Enno Bozdo, komentoi në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv projektin e Portit të Durrësit. Enno Bozdo tha se investitori nuk fut nga paratë e veta më shumë se 70 mln euro ndërsa një pjesë tjetër e merr hua në bankë.
Sipas Bozdos, nuk kemi të bëjmë me një projekt strategjik pasi 94 për qind e financimit varet nga paratë e shitjes së apartamenteve.
“Qeveria e ka thënë këtë në plan biznesi, 94 për qind e financimit të projektit vjen nga paratë e shitjes së apartamenteve. Ky nuk është më projekt strategjik. Sa më shpejt të shiten apartamentit, aq më shumë ecën projekti. Nëse nuk shiten, ai nuk mban risk, kështu e kanë bërë kontratën. Ai mund të tërhiqet nga kontrata dhe nuk ka mekanizëm shtrëngues.”-tha Bozdo.
Duke u ndalur tek kompanitë, Eagle Hills, me kapital thuajse zero lekë dhe kompania e dytë NSHMI DEVELOPMENT e cila është financuese, zotërohen nga Alabar. Bozdo tha se e para ka përgjegjësinë për ndërtim dhe e dyta garanton paratë, por vetëm me fjalë.
“Kontrata dhe përgjegjësinë për ndërtim e ka kompania e parë, e dyta garanton paratë dhe mos ki merak i ka thënë Ramës. Garantimi nuk mund të vijë më fjalë, por garantohet 20 për qind e vlerës së projektit. Duhet të jepte 400 mln euro, që nëse tërhiqet shteti shqiptar të vazhdojë projektin ose të mbylli gropën e hapur.”-tha Bozdo.