Prej disa ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama sëbashku me të vëllanë, Olsi Ramën se janë të përfshirë me një biznesmen i cili u ka vjedhur qytetarëve 2.2 mld euro përmes bitcoin.
Më konkretisht, në daljet për mediat Berisha ka akuzuar biznesmenin Amant Josifin, që sipas tij qëndron pas rrjetit të “call centera”-ve, ku janë mashtruar shumë qytetarë evropiane.
Sipas kreut të PD-së, ky biznesmen ka mbështetjen e Olsi Ramës.
Dhe sot Kryeministri Rama ka takuar e pronarin dhe drejtuesin e ‘exchange’-it më të madh në botë për kriptomonedhat, Binance, Changpeng Zhao. Takimi u bë i ditur në një postim në Twitter nga themeluesi i Binance.
Përmes postimit miliarderi i industrisë së kriptove bëri me dije se adoptimi i valutave digjitale nuk do të ndalet kurrë.
“Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë”, shkroi Zhao në postimin e tij.