Kuvendit të Shqipërisë
Të ndriçohet me ngjyrën portokalli përgjatë 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas.
Të shfaqen emrat e 6 grave që kanë humbur jetën tragjikisht këtë vit si pasojë e dhunës.
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
25 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave e Vajzave.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelja më e përhapur dhe më brutale e të drejtave të njeriut, e rrënjosur në pabarazinë dhe diskriminimin gjinor, në marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe në normat e dëmshme dhe jo të drejta shoqërore.
Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit, paqes si dhe garantimin e të drejtave njerëzore të grave dhe vajzave.
Fatkeqësisht, dhuna kundër grave dhe vajzave mbetet kryesisht e paraportuar për shkak të mosndëshkimit, stigmës dhe turpit. Provat dhe shifrat tregojnë se ka pasur shumë pak progres në parandalimin e vrasjeve të grave dhe vajzave.
Në vitin 2022, 6 gra kanë humbur jetën, mbi 4 mijë gra e vajza kanë denoncuar dhunën.
Në të situatë, institucioni i Kuvendit Shqiptar duhet të jetë i pari që jep mesazhin e fortë të ndërgjegjësimit për këtë fenomen, duke u bërë pjesë e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.
Ndaj propozoj që në mënyrë simbolike, ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë të ndriçohet me ngjyrën portokalli përgjatë këtyre ditëve.
Krahas dritës portokalli, propozoj që në fasadën e ndërtesës së Kuvendit, përgjatë 16 ditëve të shfaqen edhe emrat e 6 grave që kanë humbur jetën tragjikisht këtë vit si pasojë e dhunës. Është më e pakta që mund të bëjmë për të sensibilizuar qytetarët e të dy gjinive dhe për t’i vënë gratë dhe fuqizimin e tyre në qendër të vendimmarrjeve të Kuvendit.
Modeli që dha kryeministrja e Italisë duke i dhënë vëmendjen e duhur kësaj beteje në të cilën duhet të përfshihet e gjithë shoqëria është një mesazh për të gjitha gratë që drejtojnë institucione vendimmmarrëse, për përgjegjësinë dhe detyrimin që kanë ndaj shumë grave e vajzave që bëhen përditë viktimë e dhunës apo diskriminimit.
Fatkeqësisht, Kuvendi nuk u ndriçua dje me portokalli, për të dëshmuar solidaritetin që duhet të ketë me gratë dhe kauzat e tyre.
Ndaj, në cilësinë e sekretares së së Aleancës së Grave Deputete, propozoj që sa më parë të merren masa që ky institucion si përfaqësues i popullit të bëhet pjesë e nismës së shumë vendeve europiane, duke u përfshirë përgjatë 16 ditëve në vijim në fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave.
Vetëm përmes fuqizimit të gruas, nëpërmjet arsimimit, punësimit, mbështetjes financiare dhe mbrojtjes mund ta luftojmë dhunën ndaj saj!