Tregu i reklamave në Shqipëri mbetet relativisht i ulët. Për më tepër, shpenzimet e marketingut janë të parat që shkurtohen nga bizneset sa herë që ka krizë apo rënie të të ardhurave.
Ky treg i vogël nuk i ka penguar investimet në televizione që sa vijnë e shtohen, sidomos ato të fokusuara tek informacioni. Investimi fillestar nuk është i ulët, ai kërkon disa miliona euro, për shkak të teknologjisë së nevojshme.
“Televizioni Klan”, më i madhi sipas të ardhurave, raportoi një qarkullim total vjetor prej 2 miliardë lekësh (17 milionë euro), me rritje 42.3% me bazë vjetore, i ndikuar nga shitja e licencës për transmetimin e eventeve sportive “La Liga” në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Fitimet e “TV Klan” në vitin 2021 ishin 230 milionë lekë, me rënie prej rreth 4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte 11.3%.
“Për sa i përket zërit të shpenzimeve kemi gjithashtu rritje, kryesisht shpenzime të personelit me rreth 20%, si rrjedhojë e rekrutimit të punonjësve për hapjen e kanalit ‘Klan News’. Në rritje kanë pasur ndikim edhe shpenzime të tjera të aktivitetit, kryesisht ato për blerjen e patentave për eventet sportive dhe filma me rreth 98%”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Top Channel” po rezulton me fitime të larta, ndërsa më parë kishte rezultat minimal. Në vitin 2021, fitimi para taksave ishte 204 milionë lekë, me rritje pothuajse 10% me bazë vjetore. Norma e fitimit ishte gati 13%, duke rezultuar një ndër televizionet më fitimprurëse në vend. “Top Channel” raportoi të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh (13.2 milionë euro), me rritje 16% me bazë vjetore, duke u renditur në të dytin më të madh në vend.
“ABC News” ka kaluar në të tretin privat më të madh në vend në vitin 2021, si për të ardhurat, ashtu dhe fitimet. Të ardhurat ishin 405 milionë lekë (3.4 milionë euro), pas një rritje të fortë prej 160%.
Pas dy vitesh radhazi me humbje, deklaroi fitime prej 102 milionë lekësh, me normën më të lartë të fitimit në këtë segment, prej 25%. Televizioni ndryshoi pronësi rreth dy vite më parë, së bashku me fokusin, duke u kthyer nga informativ në të përgjithshëm.
Së fundmi, televizioni ka ndërruar pronarët indirektë. Sipas regjistrit të pronarëve Përfitues, më 24 tetor 2022, “A.B.C Management” që është aksioneri i ABC News, ka ndryshuar pronarin përfitues nga ‘ETFTHYMIA GKOUMA’ tek ‘CHRISTIAN MARIA STRIK’, me shtetësi holandeze.
“News 24”, që në 2020-n ishte televizioni i katërt më i madh ka mbetur në të njëjtin pozicion. Në vitin 2021, të ardhurat e tij ishin rreth 3.3 milionë euro. Fitimi ishte 69 milionë lekë, me një normë prej 17.3%.
“A2” është ngjitur në vend të pestë, me të ardhura 391 milionë lekë (3.3 milionë euro), pas një rritje me 24.2% të të ardhurave. Televizioni raportoi fitim minimal prej 6 milionë lekësh, me një normë prej 1.5%.
Në vend të gjashtë ka kaluar “Vizion Plus”, që pa rënie të të ardhurave në vitin 2021 me 5%, në 362 milionë lekë (3 milionë euro). Edhe ky televizion kishte fitime minimale prej 2 milionë lekësh, me normë fitimi 0.44%.
“Euronews”, i hapur vitet e fundit, renditet në televizionin e gjashtë më të madh në vend, me rritje të qarkullimit vjetor me 33%, në 2.4 milionë euro. Televizioni vijon të jetë me humbje për të tretin vit radhazi (-27 milionë lekë).
“Digit-Alb” është platforma më e madhe e televizioneve me pagesë në vend. Të ardhurat e “Digit-Alb” ranë me 9.3% në vitin 2021, duke arritur në 4.2 miliardë lekë.
Ndërsa për herë të parë, aktiviteti rezultoi me humbje prej 727 milionë lekësh. Sipas bilancit, humbjet erdhën si rrjedhojë e të ardhurave më të ulëta dhe shtimit të ndjeshëm të shpenzimeve për lëndën e parë dhe materiale të konsumueshme.
“Tring Tv”, platforma e dytë më e madhe e televizioneve me pagesë, raportoi 1.36 miliardë lekë të ardhura, me rritje prej rreth 5%. Fitimet u rritën ndjeshëm në 130 milionë lekë./Monitor