Serbët kërcënojnë me jetë ministrin e Kosovës Hajrulla Çeku

0
208

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Hajrulla Çeku deklaroi se është kërcënuar me jetë nga serbët.

Në një intervistë për Euronews Albania, Çeku u shpreh se kërcënimet kanë ardhur si mesazhe në rrjete sociale, por edhe në mënyrë private, të cilat përmbajnë ndër të tjera, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes.

Çeku nënvizoi se kërcënimet erdhën pas reagimit ndaj flamurit, ku gjendej harta e Kosovës me ngjyrat e Serbisë, shpalosur fillimisht nga tifozët serbë në Botërorin “Katar 2022” dhe më pas nga futbollistët serbë në dhomat e zhveshjes.

Sipas tij, shovinizmi serb është rreziku më i madh për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

“Janë mesazhe, të cilat janë dërguar edhe në hapësirën publike të rrjeteve sociale, të profileve, por edhe private, të cilat përmbajnë fyerje, gjuhë të urrejtjes, por edhe kërcënimeve direkte, si pasojë e asaj që ka ndodhur dhe reagimet që kemi pasur si institucione dhe si shoqëri, në raport me aktin skandaloz të ekipit të futbollit të Serbisë në Botërorin e Katarit. Me një flamur i cili nuk ishte vetëm simbol nacionalist, për më tepër, një veprim shovinist, një pretendim i qartë pushtues, një aspiratë territoriale e Serbisë në raport me Repulikën e Kosovës.

 

Pas këtyre reagimeve dhe sensibilizimit të opinionit botëror, përfshirë edhe FIFA-n dhe nisjes së procedurës disiplinore ndaj Serbisë, si pasojë erdhën edhe këto mesazhe me përmbajtje shumë problematike. Për hir të së vërtetës, nuk është diçka e re, sepse gjuhë të tillë ekstremiste nga Serbia, kemi pasur edhe në të kaluarën. Këtu targetohen edhe zyrtarë të shtetit të Kosovës, edhe intelektualë publikë, edhe shoqëria civile. Për mua, është edhe një dëshmi se shovinizmi serb është rreziku më i madh për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

 

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka njoftuar të shtunën se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here