Ndonëse po konsumojnë më pak karburant për shkak të çmimeve të shtrenjta, konsumatorët shqiptarë po shpenzojnë shumë më tepër për të mbushur serbatorët e automjeteve të tyre këtë vit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kompanitë tregtuese të naftës kanë importuar 9.2% me pak karburante gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
E kundërta ka ndodhur me shpenzimet e shqiptarëve, të cilët kanë paguar mesatarisht 26% më shtrenjtë për karburante brenda një viti ose rreth 185 milionë euro më tepër për të blerë më pak karburant në sasi.
Shifra është përllogaritur nga Monitor, bazuar në importet mujore sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe çmimin mesatar mujor të naftës, që publikohet nga INSTAT.
Mesatarisht, çdo muaj janë shpenzuar rreth 20 milionë euro më shumë për të blerë naftë apo benzinë, me nivelet më të larta që janë shënuar në periudhën qershor-shtator, kur dhe lëvizjet janë më të shumta për shkak të sezonit turistik.
Në janar dhe shkurt, konsumi i karburanteve shënoi tendencë rritëse në sasi, me përkatësisht 13 dhe 8.4%. Në mars, pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si rrjedhojë e problemeve që u krijuan në furnizimin globale me këtë produkt.
Nafta kërceu në vend nga rreth 185-190 lekë në fund të shkurtit në 235 lekë në ditët e para të marsit, duke qenë 42% më e shtrenjtë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe pas krijimit të Bordit të Transparencës, karburanti vijoi tendencën rritëse, duke kulmuar në qershor, kur çmimi mesatar arriti në rekordin historik të të gjitha kohërave prej 254 lekë për litër.
Në muajt në vijim tendenca ishte në një rënie, por të lehtë, duke arritur në shtator në 225 lekë/litër, niveli më i ulët që nga shkurti. Por sërish nafta ishte 34% më e shtrenjtë se shtatori i një viti më parë.
Rritja e fortë e çmimeve e ndikoi ndjeshëm konsumin. Që nga marsi, importet e karburanteve, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shënuan rënie që luhatet mesatarisht midis 10 dhe 20% më pak.
Tkurrja ishte më e fortë në muajt e verës, që sipas operatorëve të tregut u ndikua kryesisht nga fakti që të huajt që vijnë me makina nuk furnizoheshin në pikat shqiptare të tregtimit të karburanteve, por para se të hynin në kufi, për shkak të diferencave të larta në çmime.
Importet e karburanteve
Shifrat tregojnë se vendi ka importuar rreth 462 mijë ton karburante gjatë 9 mujorit të 2021 dhe rreth 419 mijë ton gjatë 9 mujorit të 2022.
Për të parat, qytetarët shqiptarë kanë paguar të paktën 700 milion euro dhe për të dytat 890 milion euro. Për llogaritjet e kryera Monitor është bazuar në raportet mbi importin e marrave kryesorë të akcizës, përkthimin e sasive në litër (1 ton naftë=1120 litër naftë) dhe në vlerë dhe çmimeve mesatare të naftës dhe benzinës referuar të dhënave zyrtare të Instat dhe Ministrisë së Financës.
Deformimi i kërkesës dhe niveli në të cilin çmimet e larta ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë si pasojë e rritjes së kostove të karburantit mund të mos jetë vendosur ende në një shkallë të gjerë, por ndikimet kanë filluar të ndjehen në të gjithë ekonominë.
Çmime më të larta të karburanteve do të thotë jo vetëm para të nxjerra nga xhepat e konsumatorëve shqiptarë, por edhe rritje të kostove për kompanitë, që e kalojnë këtë kosto te produkti apo shërbimi final për konsumatorin.
Rritja e çmimit të karburanteve dhe tregu botëror
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ishte katalizatori më i fundit që nxiti rritjen e naftës së papërpunuar, por faktikisht çmimet ishin në lëvizje edhe përpara luftës.
Kostot e shtuara të energjisë, prej dekadash janë faktori kryesor në shfaqjen e shifrave të larta inflacioniste çka përkthehet në çmime më të larta për të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve. Edhe përpara Covid-it, prodhuesit e energjisë nën presionin e çmimeve të ulëta dhe të aksionerëve, shkurtuan investimet dhe projektet më pak fitimprurëse.
Më pas, gjatë epidemisë ata ulën më tej prodhimin, kur panë se nevoja dhe kërkesa për produkte të naftës ra. Njerëzit nuk po shkonin askund, kërkesa ra aq papritur sa nafta e papërpunuar dhe bizneset ishin mbyllur, ndaj nevojitej më pak karburant.
Që atëherë, ekonomitë janë rihapur, prodhimi është ringjallur dhe njerëzit janë duke lëviur përdorur automjetet e tyre dhe fluturuar përsëri.
Naftë në bursa arriti në mbi 130 dollarë për fuçi në mars, me fillimin e luftës, duke rënë lehtë më pas, për të kulmuar sërish në qershor në rreth 120 dollarë për fuçi. Më pas tendenca ka qenë në zbritje të vazhdueshme për të arritur aktualisht në rreth 90 dollarë për fuçi, në nivelet e paraluftës.
Ndonëse nafta në bursa ka rënë ndjeshëm, në Shqipëri çmimet vijojnë të jenë 20% më të larta se në shkurt të këtij viti. Aktorët e tregut e shpjegojnë këtë diferencë me ndryshimin e konjukturës së importeve, që ka rritur kostot e tjera, shtrenjtimin e dollarit ndaj lekut.
Sipas tyre dhe ndërhyrja e Bordit me fiksimin periodik të çmimeve ka ndikuar në mbajtjen e karburanteve të shtrenjta, pasi tregtuesit nuk arrijnë të optimizojnë blerjet për periudha të gjata kohore./ Monitor