Artistët si “pre” e politikës dhe mentalitetit të turmës

0
158
Ka disa vite që në Shqipëri kushdo po gjykohet në kontekstin politik duke iu kërkuar përgjegjësi dhe angazhim në një fushë që më shumë se sa detyrim është një zgjedhje që e vendos gjithsecili ta bëjë. Kohët e fundit jashtë kësaj liste nuk është kursyer t’i kërkohet llogari edhe artistëve, sportistëve apo njerëzve të letrave.

Turmat në rrjete sociale, të cilat deridiku edhe të justifikuara nga tentativa që elementë të pushtetit kërkojnë të përdorin politikisht artistët, u turren atyre me ironi, fyerje dhe tallje.

Me gjithë respektin që kam për analiza të caktuara, të cilat kanë konstestime logjike dhe kërkojnë kontribut në shoqëri edhe nga ky grup, më dhimbsen artistët kur bëhen pjesë e histerisë që lidh fatkeqësinë e keqeverisjeve të vendit me mentalitetin indiferenet të tyre.

Personalisht nuk jam dakord që ata të trajtohen dhe gjykohen kështu, pasi fusha ku kanë dalë të gjykohen nga publiku nuk është aktivizmi politik në shoqëri por arti, sporti, shkrimet.

Për shembull, intervista e violinistit Tedi Papavrami ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Kur lexova deformimet në rrjete sociale ndërtova një mendim ulës për të, por kur më pas dëgjova intervistën e plotë, kuptova që Tedi nuk e kishte krahasuar vetë Edi Ramën me sonatën e 7-të të Beethoven, por ishte pyetur nga moderatorët. (Në librin e tij “Fugë për violinë” ai ilustron personazhe dhe ngjarje të jetës, të hidhura apo të gëzuara, me melodi të caktuara.) Ai në intervistë shpjegon se sonatën e zgjodhi pasi ka nota dramatike dhe i tillë është Edi Rama-dramatik dhe i prerë. Sonata e 7-të e Beethoven është krijuar në nder të Carit të Rusisë Aleksandri I që njihet për retorikën e tij të liberalizmit, por zbatoi deri në fund pushtetin e pakufijtë absolut.

Po ashtu nga konteksti është nxjerrë dhe përgjigjia kur u pyet nëse do të pranonte të drejtonte një institucion kulturor, ku u shpreh “Po”, pa mëdyshje, duke thënë se ishte detyrim të jepte një kontribut për vendin në fushën e edukimit të të rinjve. Tha se sot Shqipëria është një vend që mund të jetohet mirë, pasi në subjektivizmin e tij atë nuk e quajnë më tradhëtar si në vitet kur u largua nga Shqipëria e se sot njerzit që e kuptojnë dhe vlerësojnë punën e tij janë më të shumtë. Ky më duket një kompliment për empancipimin kulturor të shoqërisë tonë dhe jo për ata që qeverisin.

Dua Lipa është një artiste me famë ndërkombëtare. Këngët e saj janë të bukura, të njohura, të klikuara dhe komerciale apo jo, e kanë bërë vendin tonë më të njohur falë saj. Muzika dhe imazhi i Duas ka zbutur stereotipet negative ndaj shqiptarëve që me ose pa të drejtë janë krijuar ndër vite në vende të tjera. Marrja e pasaportës shqiptare është një gjest për tu falenderuar dhe një promovim shumë i mirë që i bëhet Shqipërisë.

Institucioni që të jep shtetësinë është Presidenti, dhe kushdo të ishte aty do të shkonte ta merrte.

Dua Lipa këndoi për Ditën e Pavarësisë në sheshin Skënderbej pa shitur bileta, të cilat nëse do ta bënte jam e sigurt që do të kishte fitime më të mëdha. Nuk mund t’i kërkohet asaj përgjegjësi se përse po largohen sot shqiptarët, apo që të mbajë koncert në gomone. Për mendimin tim, shqiptarët po ikin sepse nuk kanë më shpresë nga asnjë forcë politike. Dhe në këtë rast çdo deklaratë në lidhje me largimet çon ujë në burimet e politikës. Ajo zgjodhi të qëndrojë artiste dhe jo politikane. Dha kontributin e saj për kombin e origjinës dhe erdhi ta bëjë në Tiranë. Nuk ka rëndësi se kush është kryebashkiak apo kryeministër, kushdo të ishte koncerti do të bëhej sepse donte Dua. Për 100-vjetorin e Pavarësisë erdhi Rita Ora dhe u shoqërua nga ish-kryeministri Berisha, disa vite më vonë Rita mbajti koncert dhe u shoqërua nga kryebashkiaku Veliaj. Pra, nuk ka lidhje se cila forcë është në pushtet.

Një tjetër pre e këtyre manive, si të mediave mediokre dhe politikanëve në kërkim të pikëve nga fama dhe mundi i saj ishte dhe Luiza Gega. Me durim dhe sakrifica ajo arriti të marrë titullin Kampione e Europës në fushën e atletikës. Në darkë postimet me krenarinë që ajo i bëri flamurit shqiptar qënë të panumërta, ndërsa në mëngjes të njëjtët i kërkonin që të refuzonte ceremoninë që do të mbahej për nder të saj në Kryeministri. Në rrafshin personal, ajo duhet të bënte një tjetër sakrificë dhe të mos festonte arritjen e mundimshme shumëvjeçare, ndërsa profesionalisht, Luiza duhet të bënte një gjest antikombëtar dhe të refuzonte që titullin e mori për shtetin shqiptar. A do të zgjidhte ky gjest hallet e vendit, apo thjesht do të prodhonte disa tituj bezdisës për qeverinë? Qytetar shqiptar i denjë je kur konkurron me flamurin e vendit dhe shkon e respekton institucionet e atij vendi. Luiza atë bëri, shkoi në ceremoninë e organizuar nga institucionet që kanë zgjedhur shqiptarët.

Në të njëjtën grackë kanë dashur të futin ndër vite edhe Kadarenë. Pse nuk reagon për këtë, jo për Teatrin, jo ke qënë komunist, jo nuk ke folur në diktaturë, jo është i mirë, jo është i lig. Ai ka dalë të gjykohet për letërsi. Merre veprën e tij, lexoje, merr kënaqësi dhe ndihu mirë që Shqipëria njihet nga shumë njerëz e personalitete sepse është përshkruar mjeshtërisht në librat e shumë-përkthyer të Kadaresë.

Përgjegjësinë shqiptarët e kanë mundësi ta kërkojnë përditë nga ata që qeverisin përmes protestës. Gjykimin dhe llogarinë duhet ta bëjnë për atë që iu ka kërkuar besimin dhe i ka gënjyer. Patriotizmin e flaktë mund ta shprehin shumë mirë dhe në heshtje njëherë në dy vjet: kur shkojnë dhe votojnë. Është keqardhje të kërkosh përgjegjësi, të kryqëzosh dhe fyesh atë që nuk të ka kërkuar asnjëherë asgjë por ka arritur të ketë sadopak sukses me forcat dhe talentin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here