Protesta e 6 dhjetorit për Aldo Bumçin do të jetë një lloj mikpritjeje për liderët e BE-së, pasi po priten si miq. Kështu është shprehur anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, i ftuar në Ditar në A2 CNN.
Bumçi theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga vendimi për të protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasi siç u shpreh ai, një nga pikat për të cilat do të protestohet të martën është edhe e drejta e tubimit.
Ndërsa u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e humbasin rastin për të dalë në protestë më 6 dhjetor, Aldo Bumçi përsëriti edhe një herë qëndrimin e PD-së se synimi i tubimit do të jetë që t’i tregohet Europës që “Shqipëria nuk është vend demokrat.”
I pyetur se cilët janë ata që do të mbajnë përgjegjësi nëse ndodh ndonjë incident i mundshëm, anëtari i Kryesisë së PD-së theksoi se protesta do të jetë paqësore, europiane dhe e qytetëruar.
Por a nuk po e vlerëson PD-ja faktin që qeveria ka marrë përsipër të organizojë një samit të rëndësishëm?
Për Aldo Bumçin, qëndrimi i mbajtur deri më tani nga qeveria Rama tregon se protesta për ta është një zhvillim që shkakton “dhimbje koke”.
Bumçi tregoi edhe arsyen se përse PD-ja nuk heq dorë nga mbajtja e protestës në Bulevard, i cili do të jetë edhe perimetër sigurie, më 6 dhjetor.
“Qytetet kanë qendra qytetesh. Pse? Sepse është vendi ku mblidhen qytetarët për festime apo për aktivitete politike. Kur mblidhemi për çështje të rëndësishme mblidhemi te sheshi kryesor i qytetit dhe bulevardi kryesor. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Thellësisht evropiane, paqësore. Nuk mund ta humbim këtë takim kur e gjithë Europa do të na shikojë.”