Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi këtë të shtunë se ka vizituar ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, i cili ndodhet në Hagë.
Gjatë kësaj vizite tha se ka takuar edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, te të cilët siç u shpreh ajo, ka parë vullnet, unitet dhe besim të palëkundur se nga kjo sfidë të gjithë do të dalin faqebardhë.
Sot vizitova mikun dhe bashkëpunëtorin tim Rexhep Selimi në Hagë i cili padrejtësisht po mbahen atje bashkë me krerët tjerë të UÇK-së”, shkroi Kusari-Lila në Facebook.
Gjatë vizitës takova edhe bashkëluftëtarët e Rexhës tek të cilët pashë unitetin, vullnetin dhe besimin e palëkundur që nga kjo sfidë e vendit tonë të ri, të gjithë do të dalin faqebardhë!”.
Tutje, ajo tha se sa e rëndësishme aq edhe e ndjeshme është që kjo histori e re e Kosovës të shkruhet ashtu si e meriton që gjeneratat e reja të kuptojnë vlerën e lirisë dhe sakrificës për shtetin tonë.
“Me Rexhën dhe tjerët u përshëndetëm me fjalët, shihemi në Kosovë!”, tha ajo.