Inflacioni vjetor në Turqi ka shënuar rënie në nëntor, për herë të parë në më shumë se një vit, sipas shifrave zyrtare të publikuara të hënën, megjithëse ai mbetet në shkallën më e lartë në 24 vjetët e fundit. Në muajin nëntor inflacioni ka shënuar rënie për 0.63 për qind krahasuar me një muaj më parë. Norma mujore e inflacionit në nëntor ishte 2.88 për qind, krahasuar me tetorin e cila ishte në muajin 3.51 për qind.
Sipas Instituti turk të Statistikave çmimet vjetore të konsumit nga 85.51 për qind në tetor, u ulën në 84.39 për qind në nëntor. Kjo është hera e parë që inflacioni vjetor në Turqi është ulur që nga maji i vitit 2021. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rënia e vlerës së lirës kanë nxitur inflacionin në këtë shtet.
Ekonomistët besojnë se në rritjen e inflacionit në Turqi kanë ndikuar edhe politikat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili beson se ulja e normës së interesit ndikon në ulje të çmimeve, ndonëse teoritë ekonomike flasin për qasje të kundërt. Bankat qendrore në shumë vende të botës, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë rritur së fundi normat e interesit me qëllim të luftimit të inflacionit.
Rritjet më të mëdha të çmimeve vjetore janë shënuar në sektorin e transportit, me 107 për qind, pasuar nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 102.55 për qind, sipas të dhënave zyrtare. Ekspertët besojnë se inflacioni është më i lartë sesa që paraqitet në statistikat zyrtare. Grupi i pavarur për Kërkime rreth Inflacionit ka thënë të hënën se norma e vërtetë e inflacionit në Turqi për nëntorin është 170.7 për qind./rel