Pylli Orbital, për të cilin Bashkia e Tiranës ka dhënë me shpejtësi pak muaj para zgjedhjeve vendore të paktën 2.6 milionë euro, është bllokuar nga Komisioni i Prokurimeve Publike. Shkak janë bërë kriteret e dyshimta, që më herët kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si “kostum i qepur me porosi”
Në vendimin përfundimtar, KPP shprehet se përmes tyre është kufizuar konkurrenca dhe më konkretisht në lidhjen që bëhet mes blerjes së pemëve dhe bimëve të tjera dhe mbjelljes së tyre.
Këto kushte kërkojnë që një kompani të jetë njëkohësisht dhe furnitore, por po ashtu të ketë të angazhuar edhe 150 punonjës për hapjen e gropave, shkuljen e pllakave dhe mbjelljen e të paktën 1058 pemëve, çka bën që pjesë e procedurës të jenë shumë pak subjekte.
Madje urgjenca e institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj, 5 muaj para votimeve, konfirmohet dhe me një tjetër kërkesë.
Pemët e shpërndara në disa lagje të qytetit dhe në lumin e Lanës duhet të mbillen Brenda 15 ditëve dhe punëtorët duhet të angazhohen në dy turne, pra duke lejuar pushimin vetëm gjatë natës
Një kriter tjetër i vënë nga Bashkia në këtë tender, thotë se kompania fituese duhet të ketë një truall, që do të magazinojë pemët dhe këtë truall do ta menaxhojë Derejtoria, për një vit.
Pra, edhe pse trualli është privat, pra i kompanisë fituese, Bashkia kërkon ta shfrytëzojë për një vit. Kjo pikë sipas KPP bie ndesh me ligjin e Prokurimeve Publike dhe nuk nxit konkurrencën.
Një tjetër çështje është edhe kërkesa për një inxhinier pyjesh me profil mbarshtrim dhe shfrytëzim, por edhe këtu është theksuar diskriminimi. Ndaj dhe autoriteti i monitorimit të tenderave ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës, ta rishikojë duke rihapur garën dhe shtyrë afatet./oranews