Nga Suzanne Lynch, POLITICO
Liderët e Ballkanit Perëndimor vlerësuan një “mentalitet të ri” në qëndrimin e Bashkimit Evropian kundrejt rajonit të tyre të martën, teksa arritën një numër marrëveshjes me Brukselin, përfshirë reduktimin e tarifave roaming dhe integrim më të madh në arsimin e lartë.
Por progresi real për hyrjen në BE – që është synimi final i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – mbeti i paarritshëm në samitin njëditor në kryeqytetin shqiptar.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili organizoi takimin, theksoi gjërat pozitive në një konferencë për shtyp me Presidentin e Këshillit të Evropës Charles Michel dhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Gjërat po ndryshojnë”, tha Rama. Brukseli po shfaq “për herë të parë” interesim serioz për rajonin për arsye strategjike, gjeopolitike.
Por ndërsa BE foli për përkushtim financiar për BP – më konkretisht për një Plan Ekonomik e Investimesh të fokusuar te projektet e infrastrukturës – javën e ardhshme ai do të përballet me testin e parë të përkushtimit për pranimin e vendeve të reja në bllok. Takimi i liderëve të BE në 15 dhjetor do të vendosë nëse Bosnjë Hercegovinës do t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Një vendim i tillë kërkon unanimitet dhe jo të gjitha vendet e BE janë dakord se kjo është gjëja e duhur.
Në përgjigje të një pyetjeje nga POLITICO, Michel tha se shpreson se “do të jepet një sinjal pozitiv” në ditët e ardhshme duket i dhënë statusin e kandidatit një vendi ballkanik.
Ministrat evropianë do ta diskutojnë çështjen në një takim më 13 dhjetor në Bruksel, pasi Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit kandidat Bosnjë Hercegovinës në tetor, me kusht hedhjen e disa hapave.
Por disa vende të BE ngurrojnë për hapjen më tepër derës për Bosnjë Hercegovinën, shteti që doli pas luftës së përgjakshme etnike në vitet ’90. Më e pakta, vendi duhet të përmbushë 14 kritere para se të hapen bisedimet, duke nisur nga shteti ligjor te reforma e administratës publike.
Në deklaratën e përbashkët pas samitit, BE rikonfirmoi “angazhimin e plotë e pa mëdyshje të perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor”. Por kjo duhet bazuar mbi “reforma të besueshme nga partnerët; kushtëzim korrekt e rigoroz”, thotë deklarata.
Deklarata thotë edhe se partnerët duhet të jenë në linjë me masat kufizuese të BE – një referencë e koduar për refuzimin e Serbisë për adoptimin e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Gjithsesi, gjendja shpirtërore në Tiranë ishte më pozitive krahasuar me samitin e fundit në Bruksel, gjashtë muaj më parë, i cili përfundoi me një konferencë shtypi hundë e buzë ku liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë shfrynë acarimin për shkak të përparimit të avashtë.
Marrëveshjet e njoftuara në samitin e Tiranës përfshinë angazhimin për reduktimin e tarifave roaming nga ana e operatorëve të telekomunikacionit më 2023, dhe përfshirjen e vendeve të BP në Nismën e Universiteteve Evropiane, e cila fuqizon partneritetet midis institucioneve arsimore por është e limituar për vendet e BE.
BE bëri thirrje edhe për të qenë sa më shpejt në një linjë për politikat e vizave midis bllokut dhe vendeve të BP, si dhe për angazhim nga vendet jo-anëtare për të respektuar marrëveshjet e ripranimit. Kjo synon reduktimin e hyrjeve të paligjshme në BE përmes Ballkanit Perëndimor, një shqetësim kyç i vendeve anëtare të BE.
Si tregues i tensioneve të brendshme politike, një protestë antiqeveritare u zhvillua në Tiranë, pranë vendit ku ishin mbledhur liderët. Protesta nën simbolet e BE u shndërrua në dhunë kur Sali Berisha, lider i opozitës dhe ish-president e kryeministër i vendit, u godit me grusht nga një 31-vjeçar, tashmë i arrestuar.