Rama u krenua me foton nga Samiti në faqen e parë të gazetës, por “Frankfurter” akuzon kryeministrin: Korrupsioni i tij largoi 700 mijë shqiptarë

0
298

Kryeministri Edi Rama, u krenua sot që një foto nga samiti i BE-së në Tiranë kishte dalë në faqen e parë të gazetëve gjermane Frankfurter Allgemeine dhe Suddeutsche Zeitung.

“Për herë të parë në histori Shqipëria merr lajmin dhe pamjen kryesore në hapësirën qendrore të faqes së parë të dy prej gazetave më të mëdha të Gjermanisë; për mirë natyrisht,” shkruan Rama.

Në fakt, nëse lexon gazetën më autoritare në Gjermani, Frankfurter Allgemeine, nuk ka asgjë për t’u krenuar. Madje kjo gazetë është shumë kritike ndaj Edi Ramës, të cilin e akuzon për korrupsion, krim dhe patronazhim që ka larguar 700 mijë shqiptarë nga vendi.

“Rama çuditërisht nuk preket nga fakti se dhjetëra-mijëra shqiptarë janë larguar së fundmi nga varfëria në shtëpi, veçanërisht në Britaninë e Madhe, ku ministrja e Brendshme Suella Braverman premton se do të luftojë me vendosmëri këtë ‘pushtim’. Rama, nga ana tjetër, reagon i indinjuar deri në vrazhdësi ndaj raportimeve të medieve të pavarura për korrupsion, patronazhim dhe krim. Për problemet që kanë kontribuar ndjeshëm në faktin se në dhjetë vitet e fundit nga 400 mijë deri në 700 mijë, kryesisht të rinj shqiptarë, janë larguar nga vendlindja”, shkruan gazetari Matthias Rueb.

“Edi Rama ka qenë kryeministër i Shqipërisë për plot nëntë vite. Më përpara, nga viti 2000 deri në vitin 2011, socialisti ka qenë kryebashkiak i Tiranës, ku ka lindur në vitin 1964. Nëse merr në konsideratë faktin se Partia Socialiste, e cila ka dalë nga Partia e Punës, ka drejtuar qeverinë më shumë se gjysmën e kohës që prej rënies së regjimit komunist të epokës së gurit të Hoxhës në vitin 1990, Shqipëria e sotme është diçka si një trashëgimi e Ramës dhe partisë së tij politike,” thekson gazetari.

Ai e vë gishtin edhe te plaga tjetër, që pavarësisht kësaj, Edi Rama vazhdon të gëzojë reputacion të mirë në mesin e liderëve europianë.

“Gjërat po shkojnë mirë për Ramën edhe në vendet perëndimore. Në kryeqytetet e mëdha, njeriu dymetrosh me temperament dhe elokuent, ia ka ka dalë që të vlerësohet nga qeveritë përkatëse si një politikan rok-star nga Ballkani…

Fakti që Rama ishte kreu i parë i qeverisë në rajon që mirëpriti pjesëmarrësit e samitit BE-Ballkani Perëndimor në tokën vendase, në vend që të bënin pelegrinazh në vendet e tjera të BE-së për të disatën herë, është një sukses prestigjioz. Por vetëm kaq, asgjë më shumë,” thekson gazetari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here