Mirel Mërtiri nuk kishte para për kontratat e djegësave. Ky fakt është zbuluar gjate seancës për vettingun e prokurores Mariola Mërtiri, e cila është bashkëshortja e vëllait të Mirel Mërtirit, që është në kërkim për aferën e inceneratorëve. Prokurorja Mariola Mërtiri është shprehur se kishte marrë hua te vëllai i bashkëshortit për blerjen e një apartamenti, por nga analiza financiare e komisionit të vettingut ka rezultuar se Mirel Mërtiri nuk kishte para kursyera.
Të hënën, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u paraqit prokurorja e Tiranës, Mariola Mërtiri.
Prokurorja është bashkëshortja e vëllait të Mirel Mërtirit. Trupa e vettingut konstatoi pamundësi financiare të prokurores në blerjen e një apartamenti në vitin 2011.
Zonja Mërtiri kishte deklaruar se banesën në Fier e kishte blerë me kursimet e familjes së saj, si edhe me një hua nga vëllai i bashkëshortit, Mirel Mërtiri, në shumën 1 milionë lekë të reja.
Por, Komisioni i vetingut deklaroi se analiza financiare e kryer ndaj Mirel Mërtirit, kishte zbuluar se ai nuk kishte pasur mundësi financiare që të krijonte kursime.
Ky detaj financiar i përket një periudhe pak para se grupi Mirel Mërtiri -Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të merrnin nga Qeveria Rama3 kontratat për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, me kosto koncesionare rreth 160 milionë euro dhe me fitim mbi 430 milionë euro.
Seanca e vetingut për prokuroren Mariola Mërtiri konfirmoi gjithashtu edhe një fakt që dihej publikisht, por që nuk ishte pranuar zyrtarisht. Pronarja e kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja, është bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit.
Prokurorja prezantoi pak detaje mbi marrëdhëniet e tyre familjare dhe një udhëtim të përbashkët në Vjenë.
Dokumentet e depozituara në institucionet shqiptare nuk e përfshijnë formalisht Mirel Mërtirin në kompanitë e inceneratorëve.
Megjithatë, hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar përfshirjen e tij të plotë dhe e kanë shpallur në kërkim, në kuadër të hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit.
Po ashtu, Mirel Mërtiri u shfaq edhe si pjesëmarrës në takimin për nënshkrimin e një kontrate 60 milionë euro ndërmjet kompanisë guackë të inceneratorit të Sharrës, “Integrated Energy BV”, me bashkinë e kryeqytetit të Zimbabves, Harare.