Korrupsioni, krími, emigrantët/ 33 detyrat që BE i la Ballkanit në samitin e Tiranës

0
112

Samiti i BE-së dhe Ballkanit perëndimor që solli në Tiranë krerët e unionit dhe të rajonit miratoi në fund një deklaratë ku vendin kryesor e zënë energjia, lufta në Ukrainë, arsimi dhe mbështetje ekonomike. Megjithatë deklarata zyrtare me 33 pika e miratuar në fund të tij shkon përtej “fjalëve të bukura” që u thanë përpara mediave. Së pari flitet për rrezikun që ka për rajonin lufta në Ukrainë.

Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor” – thuhet në deklaratë. Pika 4 e deklaratës i tërheq sërish “veshin” Serbisë që duhet t’i bashkohet linjës së BE-së për politikën e jashtme kur bëhet fjalë pëer sanksionet ndaj Rusisë.

Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të ndjekin shembullin e tyre” – citon deklarata. BE thotë se e mbështet integrimin e Ballkanit, por nuk harron të nënvizoje se për këtë duhen bërë edhe “detyrat e shtëpisë”.

“BE …bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët” – shkruan deklarata në pikën 2 të saj.

“Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat” –vijohet më tej.

Në deklaratë apelohet edhe për luftimin e fenomeneve të rënda si krimi dhe korrupsioni për të cilat rajoni ynë kritikohet prej vitesh.

“Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave” – citohet në deklaratë.

“Ne ritheksojmë rëndësinë e marrjes së veprimeve të vendosura për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, në veçanti pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin dhe trafikimin e drogës” – thekson deklarata. Liria e shprehjes është gjithashtu një tjetër e drejtë për të cilën kërkohet angazhim.

“BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” – shkruhet më tej.

Një pjesë e rëndësishme i është kushtuar edhe raportit mes Kosovës dhe Serbisë. BE mbështet përpjekjet e Borrell dhe Lajçak thotë se pret “progres konkret nga të dy palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

“Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut” – shkruan BE për Prishtinën dhe Beogradin.

Ndryshe nga sa do të shpresonte Rama dhe Vuçiç për nismën “Ballkani i hapur”, BE i jep mbështetje Tregut të Përbashkët Europian. Kjo mbështetet edhe nga Procesi i Berlinit ku së fundmi u nënshkruan disa marrëveshje.

“BE-ja përgëzon marrëveshjet e fundit të partnerëve për lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit si dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit” – shkruan deklarata.

Një tjetër detyrë që u lihet vendeve të Ballkanit Perëndimor janë kthimet e emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës.

“BE-ja qëndron e gatshme ta mbështetë Ballkanin Perëndimor për të rritur kthimet vullnetare dhe jovullnetare, duke përfshirë edhe ato drejtpërdrejt nga rajoni drejt vendeve të origjinës” – shkruan deklarata me 33 pika. ©LAPSI.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here