Analisti amerikan, njëherësh njohësi i çështjeve të Ballkanit, David Phillips ka dënuar sulmin fizik ndaj kreut të PD Sali Berisha një ditë më parë në protestën e opozitës.
Në një reagim për Politiko.al, Phillips, i cili është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe Drejtësisë në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut, e komenton ngjarjen si një dëshmi të kalbëzimit të shoqërisë shqiptare nën udhëheqjen aktuale, të qeverisë Rama.
Sulmi ndaj Dr Berishës dramatizon kalbëzimin e shoqërisë shqiptare nën udhëheqjen aktuale. Në vend që të adresonte mosmarrëveshjet përmes dialogut, një mbështetës i qeverisë iu drejtua dhunës”, shprehet analisti amerikan.
Në reagimin e tij, analisti ngre shumë dyshime nëse autori Gert Shehu veproi i vetëm apo nëse incidenti u frymëzua nga armiqësia e qeverisë ndaj PD-së.
“A veproi autori i vetëm? A u frymëzua nga armiqësia e qeverisë ndaj PD-së? A është bërë Shqipëria pa ligj, e kontrolluar nga gangsterët? Këto janë pyetje që duhet t’i drejtojë Edi Rama”, shprehet analisti amerikan për Politiko.al.
Kujtojmë se prej ditës së djeshme, ngjarja e mesditës së 6 dhjetorit në protestën e thirrur nga opozita është pasqyruar edhe nga mediat e huaja, ndërsa ngjarja është dënuar edhe nga ambasadat e SHBA, Britanisë apo OSBE në Tiranë.
Pas ngjarjes, sot u arrestua nga spitalin e Traumës, 31-vjeçari Gert Shehu me akuzën e ‘Goditjes për shkak të detyrës’.