Ç’do të thotë kjo? Që Rama dëshiron t’i ofendojë boshnjakët, kroatët e sllovenët, të cilët nuk e paskan kuptuar ëmbëlsinë e hallvës jugosllave?
Jo. Rama është aq i palexuar në histori sa që nuk mund ta kuptojë se si u kthye Jugosllavia nën hegjemoninë e nacionalizmit serb në një burg kombesh. Është aq injorant politikisht sa që i duket qesharake, e pakuptimtë, dëshira e kombeve për liri, madje edhe vetë fakti që kombet dëshirojnë.
Ç’do të thotë pra, deklarata e Ramës në Bruksel? Do të thotë thjesht se atij i pëlqen imazhi i një vendi ku jetohej mirë (sipas kritereve të hedonizmit ballkanas, ha, pi, bëj qejf e mos çaj kokën). Kjo domethënë se ai e njeh Jugosllavinë sipas mendjes së regjisorit shovinist, Kushturicës, sipas emisioneve soft-porn të televizioneve të Beogradit gjatë viteve ‘80, për të mos thënë sipas përshkrimeve nga ndonjë mik i vet që mbulon njollat e gjakut në ndërgjegje me babaxhanëri jugonostalgjike. Por sefaja e qejfi moskokëçarës, tipik për fashistët (menefreghismo), ishte i mundur vetëm për shtresa të privilegjuara. I vetmi ndryshim i qarqeve hedoniste të Beogradit të viteve ‘80 prej shtresës ku gëlonte Rama në Tiranë, ishte se në Beograd e shijonin haptazi të njëjtin hedonizëm që në Tiranë bijtë e bijat e qarqeve të pushtetshme e shijonin deri diku fshehurazi (dhe këtë fshehje të deridikushme më vonë na e shitën për disidencë). Jugosllavia ishte vend më i pasur se vendet e tjera të bllokut lindor, gjë që mundësonte edhe shërbime sociale më të forta. Ama kjo pasuri nuk erdh si efekt i zhvillimit teknologjik, i përparimit të produktivitetit e të punës, por kryesisht si pasojë e marrjes kredi si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Borxhdhënësit e mëdhenj tregoheshin dorëlirë me Jugosllavinë për ta joshur. Por kur erdhi koha e kthimit të borxheve puna shkoi shumë keq. Edhe vetë serbët, përfitues nga përkatësia në “popullin hegjemon”, mërguan masivisht drejt perëndimit në vitet ‘80 e sidomos ‘90, shumica për arsye ekonomike. Kjo ishte “parajsa” e Ramës.
Nuk është për t’u habitur nga adhurimi i tij për këtë imazh të deformuar. Fundja edhe Rama ëndërron një ekonomi që zhvillohet në mënyrë të papërgjegjshme e jotransparente, që josh paratë e narkotrafikantëve me politika amnestie të milionave, që thërret investitorë për të ndërtuar qytete e porte pa patur nevojë të investojnë vetë (sepse “marina” e Durrësit po bën fushatë shitjesh të apartamentëve ende pa u ngulur një lopatë e vetme në tokë), që investimet e domosdoshme në teknologji të re mjedisore i kthen në skema krimi si në rastin e inceneratorëve, e kështu me radhë. Atij vërtet i pëlqen ta kthejë Shqipërinë në një parajsë shfrenimi e shfrytëzimi pa kufinj, ku të pasur nga gjithë bota janë të mirëpritur me pasaporta “të arta” e me “free pass” për shumëçka. Në vendin prej ku njerëzit e zakonshëm zakonisht duan të ikin.