Ish-kryeministri Sai Berisha akuzoi qeverinë Rama në lidhje me abuzimet e bëra përmes projekteve të Rilindjes Urbane.
Gjatë një takimi me kandidatët e PD-së për zgjedhjet lokale, Berisha tha se maxhoranca socialiste ka shpenzuar 1 miliard e 400 milionë euro për rikonstruktimin e qendrave të qyteteve, një kosto kjo sipas tij 4 herë më e lartë se realja.
“A mund të imagjinoni ju që janë harxhuar mbi 1 miliardë e 400 milionë euro për pllakat e Rilindjes së Vjedhjes. Ai është shpenzimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë dhe është bërë me një kosto të paktën 4-herë më të lartë se sa realja”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha u zotua se kandidatët e PD-së për çdo bashki do të kenë si moto infrastrukturën në kushte të barabarta për qytetarët në çdo lagje të qytetit.
“Më shkroi njëherë një mbështetës i yni, “si e latë këtë rrugë kështu, tha”. I thashë që keq e lamë por i shpjegova se brenda qyteteve janë mijëra kilometra rrugë dhe nuk mund të përfundohen të tëra.
Aty ku banojnë banorët tanë aty do ndihen në infrastrukturë në kushte të barabarta. Për këtë do angazhoheni ju, për këtë do angazhohet nesër PD në pushtet. Ju e shihni se cila është plaga e madhe e Shqipërisë sot, largimi masiv i të rinjve. Ne po mbetemi me të ardhme fiktive, se po të iku rina, të ka ikur dhe e ardhmja”, tha Berisha.