Anulimi i një granti 27 milionë euro për Portin e Durrësit nga Bashkimi Evropian pak para miratimit në Kuvend të projektit që i hap rrugën transformimit të tij nga port tregtar në port turistik, u bë molla e sherrit të radhës në Parlamentin shqiptar më 24 nëntor. Në një kohë që zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë sqaronte se anulimi i grantit erdhi si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku prentendonte se bëhej fjalë për një kredi. Po ashtu, sipas saj, procedura e anulimit ishte kërkesë e qeverisë shqiptare, argument që e mbështeste mbi një sërë të pavërtetash.
“Kredinë e BE-së kam kërkuar unë me shkresë anullimin e saj me përgjegjësi të plotë në vitin 2019 kur nuk flitej fare për projektin e Muhamed Alabarit, as e dinim që do të vinte një ditë që porti i Durrësit do të kishte interes nga investitorët e huaj për t‘u zhvilluar në mënyrë turistike.” – deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë seancës maratonë të 24 nëntorit në Parlament për marrëveshjen e Portit të Durrësit.
Anulimi i parave në formë granti ndodhi pak para miratimit në Kuvend të marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian- Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” – ndaj dhe një pjesë të diskutimeve të ashpra opozitë – qeveri gjatë seancës parlamentare për Portin e Durrësit i mori anulimi i grantit nga Bashkimi Evropian.
Sipas verifikimit të Faktoje rezulton se deklarata e ministres Balluku është e pavërtetë. E para, financimi i anuluar për kalatat e Portit të Durrësit ishte grant dhe jo kredi sikurse pretendon Balluku dhe këtë e vërteton më së miri dokumenti zyrtar i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor që saktëson mënyrën e financimit të këtij projekti.
Financimi për këtë projekt ishte një miks mes grantit të WBIF prej 28.78 milionë euro, një financimi të qeverisë shqiptare prej 9.3 milionë euro dhe 25 milionë euro të tjera kredi e butë. Por anulimi lidhej me pjesën e grantit. Referuar dokumenteve, projekti i investimit në Terminalin Perëndimor të Portit Durrës duhej të përfundonte në vitin 2023. Por në prag të këtij afati, Bashkimi Europian njoftoi anulimin e grantit. Në një përgjigje për Faktoje, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë tha se anulimi i grantit nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor erdhi si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual.
“Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisë edhe për prioritetet e investimeve në këtë drejtim.” – shtoi më tej, zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Një tjetër e pavërtetë lidhet me pjesën e dytë të deklaratës, vitin e anulimit të grantit. Është e vërtetë që Balluku është emeruar në krye të ministrisë së Infrastrukturës në janar të vitit 2019, por procedura e anulimit nuk është bërë gjatë këtij viti.
Nga kërkimet tona rezulton se në maj të 2019-s, grupi i financuesve të projektit të investimeve për Ballkanin Perëndimor WBIF u mblodh në Tiranë për të diskutuar mbi këtë instrument investimesh, si dhe rolin dhe kontributin e tij për zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë. Mbledhja e 27 e Fondit të Investimeve përkonte me 10 vjetorin e krijimit të kësaj platforme që kontribuon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur projektet strategjike të investimeve dhe duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërlidhjen.
Takimi i Tiranës u pasua nga një vizitë në Portin e Durrësit për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rehabilitimin e kalatës 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të këtij porti, një bashkëfinancim i Komisionit Evropian me qeverinë shqiptare që do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.
“Kostoja totale e investimit është 62.45 milionë euro, nga të cilat BE-ja po kontribuon me 28.15 milionë euro në grante (përfshirë 1.1 milionë euro në AT), dhe përfituesi do të kontribuojë me 9.3 milionë euro. Projekti parashikohet të përfundojë në vitin 2023.”- shkruhet në njoftimin e WBIF më 29 maj të 2019.
Nëse anulimi do të ishte kërkuar siç pretendon Balluku atëherë përfaqësuesit e WBIF nuk kishin asnjë arsye objektive që të vizitonin portin.
Më tej, sikurse sqaroi edhe zyra e Delegacionit të BE-së për Faktoje, anulimi ka ardhur për shkak të modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual.
Projekti për transformimin e Portit të Durrësit për herë të parë është lajmëruar publikisht në 26 nëntor të 2020, kur Kryeministri Edi Rama nga Abu Dabi deklaronte: “Nisim së shpejti me investimin e madh për transformimin e portit të Durrësit, në një nga portet më të bukur e më të mëdhenj turistikë të Mesdheut.” për t’u bërë konkret mëngjesin e 25 nëntorit të këtij viti, kur edhe mori dritën jeshile të mazhorancës në parlament. Asnjë nga vitet nuk përkon me atë që pretendon ministrja Balluku.
Më herët edhe vetë Balluku, në një interpelancë për Portin e Durrësit, në shkurt të këtij viti, ka thënë se interesi i Mohamed Ali Rashed Alabbar për të investuar në “Zhvillimin e ballinës ujore në Portin e Durrësit” është shprehur në një letër zyrtare drejtuar qeverisë më 13.12.2020.
Por nuk mbaron me kaq. Në përpjekje për të mbrojtur pretendimin se anulimi i grantit ishte kërkesë e qeverisë shqiptare, gjatë debateve me përfaqësues të opozitës në Parlament më 24 nëntor, Balluku lëshoi një tjetër deklaratë të pavërtetë.
“Dhe ajo që ndodhi ishte që patjetër u ulëm me BE-në në tryezë dhe e kemi diskutuar pasi aplikimi i projektit ishte bërë para 12 vjetësh. Në 12 vjet ky vend ka ndërruar prioritetet dhe strategjitë. Si mund të vazhdonim të merrnim një kredi që ishte aplikuar 12 vite më parë?”- theksoi Balluku mbrëmjen e 24 nëntorit në Parlament.
Në përmbledhjen e projektit që gjendet në faqen zyrtare të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, shkruhet qartazi se ky është një projekt i miratuar në vitin 2018. I njëjti vit konfimrohet edhe në të ashtuquajturën Axhenda e Lidhjes për bashkëfinancimin e projekteve në Ballkanin Perëndimor.
Verifikimin tonë e çuam edhe më tej. Në vitin 2010, periudhë të cilës i referohet ministrja Balluku si kohë për aplikimin e grantit, në krye të ministrisë së Transporteve ka qënë Sokol Olldashi.
Nga kërkimet e Faktoje rezulton se në planin e integruar të kësaj ministrie për vitin 2010, i vetmi financim i huaj për Portin e Durrësit është një kredi nga Banka Europiane e Investimeve në vlerën 380 milionë lekë, e cila parashikonte ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në Portin e Durrësit. Por jo granti për të cilin flet Balluku.
Në 13 vite Shqipëria ka përfituar 343 milionë Euro grante nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) që mbështesin investime në energji, transport, mjedis dhe sektorë të tjerë.
Por kjo nuk është hera e parë që BE i anulon Shqipërise grante. Veç Portit të Durrësit, një tjetër rast ishte ai i Hidrocentralit të Skavicës. Fillimisht projekti u mbështet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, por me daljen në skenë të amerikanëve të Bechtel, Bashkimi Evropian u tërhoq nga granti në janarin e vitit 2021. Po ashtu, WBIF në vitin 2018 ka anuluar grantin 350 mijë euro për studimin e fizibilitetit të rrugës Milot Balldre, për shkak se qeveria shqiptare vendosi ta japë me koncension./Faktoje