DEKLARATË E DEPUTETES SË PARTISË DEMOKRATIKE, ELDA HOTI
Ura e Zogut, e shpallur monument kulture e kategorisë së parë, është shkatërruar tërësisht.
Mungesa prej vitesh e vëmendjes dhe kujdesit të qeverisë, lënia në harresë, pavarësisht alarmit të aktivistëve të trashëgimisë, ka bërë që lumi Mat ta shkatërrojë urën e famshme, duke çuar në det një tjetër monument të traditës.
Kjo mungesë barbare ndjeshmërie dhe përkujdesjeje, i ka fshirë Shqipërisë një ndër veprat më me vlerë historike dhe arkitektonike.
Prej kohësh kam dashur ta shmang trishtimin e kësaj dite, dhe për këtë nuk reshta së kërkuari nga qeveria që të marrte masat për të mos lejuar rrënimin e një prej ikonave të veriut të Shqipërisë.
Ura e vjetër e Zogut, ajo që rezistoi 1 shekull, arkitektura e veçantë e saj, e ndërtuar nga një inxhinier italian, e dalluar për madhështinë dhe formën e unike, rrënohej nga pak çdo muaj, por kaluan vite dhe nuk u tregua kujdes për të.
Edhe pse mori vëmendjen e organizatës ndërkombëtare “Europa Nostra”, që e listoi në vendin e 12 si një ndër asetet më të rrezikuara në Europë, Ministria jonë e Kulturës heshti.
Qeveria nuk ia hodhi sytë asnjë ditë nga 9 vitet e gjata në pushtet. Ndoshta është shumë të kërkosh nga një qeveri si kjo e tanishmja, vëmendje për “Urën e Zogut”: Një qeveri që ka fshirë memorien e vendit, ka shkelmuar trashëgiminë, ka varfëruar qytetarët dhe po shpopullon vendin.
Ndjej trishtim, por aspak çudi, për një qeveri e cila e sheh trashëgiminë me sytë e njerkës dhe pasuritë e vendit i klasifikon vetëm sipas vlerës që ato kanë për xhepin e pushtetarëve.
Ndjej trishtim për shkatërrimin e “Urës së Zogut”, por aspak çudi se për këtë qeveri një oligark vlen më shumë se një monument kulture.
Ashtu si hapja e digave të hidrocentraleve në Drin mori përpara pronat e shkodranëve, hapja pa paralajmërim e digave në lumin Mat mori përpara urën e Zogut. Jo vetëm atë, por edhe përmbyti tokat, e shtëpitë, i varfëroi edhe më tej banorët e zonës.
Lumi Mat mori sot me vete një pjesë të historisë, por na bëri me dije edhe një herë paragjykimin dhe harrimin që Edi Rama ka për veriun dhe trevat e tij. Tregoi karakterin hakmarrës të atij që ata që nuk e votojnë i shpall armiq të klasës dhe të pushtetit.
I bëj thirrje Ministrisë së Kulturës t’i japë fund derdhjes së fondeve për miqtë e partisë dhe të kthejë kokën nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë. Ura e Zogut, me këmbët e thyera, rri në ballin e turpeve të kësaj qeverie, e cila atë që nuk e vjedh e lë të shkatërrohet, dhe atë që shkatërron e quan punë dhe nder.