Një emigrant shqiptar i cili jeton dhe punon në Londër është shprehur shumë i frikësuar për kthimin e tij në Shqipëri nga autoritetet e Britanisë së Madhe.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Review” në Euronews Albania, emigranti u shpreh se nuk do që të kthehet pasi nuk ka të ardhme në Shqipëri.
“Po, shumë. Çfarë të bëj në Shqipëri, ku e kam të ardhmen në Shqipëri? Kam të afërm, punoj në Londër, në ndërtim. E kam marrë avokatin, për fat të keq, nuk e di a ishte avokat apo sekser, më nxorri jashtë shteti anglez nga kampi, avokati nuk e dinte që më kanë nxjerrë jashtë, ai e dinte që isha akoma brenda. Akoma nuk kam gjetur avokat tjetër. Nuk kam të ardhme, nuk kam ku të punoj”, theksoi ai.
Plani me 5 pika për largimin e emigrantëve shqiptarë nga Britania e Madhe:
Së pari, do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihet ushtria, forcat civile dhe inteligjenca.
Së dyti, emigrantëve ilegale do t’u ndalohet të hapin llogari bankare.
Së treti, azilantët nuk do të strehohen më në hotele, por në konvikte dhe magazina ushtarake.
Së katërti, punonjësve që trajtojnë rastet e azilit do u bëhet shumë e qartë se Shqipëria është vend i sigurt. Ata që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, duhet ta provojnë këtë, tha Sunak.
Së pesti, në fillim të vitit të ri qeveria do të nxjerrë ligje për të siguruar që njerëzit që mbërrijnë në MB ilegalisht nuk do të mund të kërkojnë azil këtu.