INTERVISTA/ Belind Këlliçi: Fitojmë Tiranën me ndershmëri, alternativë dhe ekip. Nuk do lejojmë të qelbet kryeqyteti që të shkëlqejë kryetari!

Belind Këlliçi, 5 vite më parë u tradhëtua si shumë të tjerë dhe nuk u bë pjesë e listës së deputetëve siç ish-kryetari kishte premtuar.

 

Angazhimet dhe përbetimet publike për rininë, ish lidershipi demokrat i tradhëtoi e ndërsa lënia jashtë liste e kreut të FRPD të kohës ishte një ndër kritikat më të forta që mori Basha, krahas përjashtimit me nje te rënë të lapsit të të gjithë kontributorëve historikë të PD.

 

E megjithatë, Belindi nuk u dorëzua dhe vazhdoi të jepte kontributin e tij në parti me aksione të forta në krye të FRPD. Kishte fituar një garë të vështirë e me shkopinj nën rrota në 2015-en dhe nuk i trembej rivalitetit. Në 2021 arriti të marrë një numër rekord votash duke i tteguar liderit të kohës se politika kërkon angazhim në terren dhe jo pazare në tavolinë.

 

Dhe sërish kur PD ishte në kulmin e debatit të brendshëm, Belindi nuk u tërhoq për të përzgjedhur rrugën më të lehtë. Ai doli publikisht në mbështetje të aksionit të ndërmarrë nga Sali Berisha, si shumë pak kolegë të tij në atë kohë, duke i dhënë ndoshta legjitimitetin e plotë foltores. Kujtojmë se as ka qenë një ekstremist i Berishës e as ka pasur më parë poste nga qeveria e drejtuar nga ish kryeministri ne vitet 2005-2013.  Madje afërsia e tij politike der para shtatorit 2021 ishte më e madhe me krahun tjetër, por zgjodhi të dëgjonte demokratët. Angazhimi i Këlliçit dhe të rinjve pas tij në krah të misionit te doktorit, ishte ndoshta lëvizja më e rëndësishme që i dha “Foltores” një shtysë të fortë drejt synimit përfundimtar, rithemelimit të partisë.

 

Dhe pas një viti mes proceseve të vështira të rikonstruktimit total të partisë dhe disa proceseve zgjedhore, në PD nisi epoka e primareve. Edhe një herë Belindi nuk nguroi dhe u bë pjesë e garës për Tiranën, qytetin ku ka lindur e banon. Një garë fantastike ajo e kandidatëve në kryeqytet që shkoi madje dhe në balotazh. Por një gjest fisnik dhe krejt qytetar i doktor Alimehmetit, i dha edhe më bukuri gjithë procesit.

 

Sot Belind Këlliçi është kandidati zyrtar i opozitës për bashkinë e Tiranës. Ai  do të garojë në 14 maj me shumë gjasa përballë kryetarit aktual Erion Veliaj. Në këtë kontekst,  intervista e tij eskluzive në “standard” na zbulon më shumë drejt vizionit të Belindit për Tiranën e ndryshuar, ku nuk sundon kryetari por qytetari.

INTERVISTOI: Gëzim Saliu

 

1-Për herë të parë në PD kandidatët për një garë elektorale nuk erdhën as nga firmat e kryetarit e as nga vendimet e Kryesisë. Ju si kandidat i dalë nga primaret, si e vlerësoni këtë proces?

 

Nuk është kurrë vonë për të demokratizuar së brendshmi partitë politike, nëse realisht dëshirojmë që qeverisja e vendit tonë të jetë demokratike. Janë pashmangshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. Demokracia brendapartiake pasqyrohet në mentalitetin e qeverisjes së vendit. Demokracia e një vendi ka fytyrën e demokracisë brenda partisë që qeveris. Mendoj se Berisha, i cili i nismoi Primaret, kuptoi se PD nuk duhej të ishte e ngjashme me partinë qeverisëse, sepse për fat të keq ishte e tillë. Modeli i emërimit mbizotëronte në mjedisin tonë partiak në atë masë saqë nuk dalloheshim nga PS. Primaret janë një gjysmë dere e hapur për këdo që ka ambicie dhe ndjen se ka mbështetje në bazë. Këtë derë duhet ta hapësh plotësisht vetë dhe jo ta gjesh të hapur nga kryetari i partisë apo kupola e saj. E them këtë, sepse PD e vuajti gjatë perceptimin popullor se ish kryetari i saj kishte patur mbështetjen e paraardhësit të tij. Në rrafshin personal, ju them se unë ndoshta nuk do të isha sot kandidati i opozitës nëse nuk do të kishin ndodhur primaret.
E them sepse e besoj, sepse kam kandiduar për kryetar të FRPD-së në vitin 2015, në një klimë aspak të favorshme ndaj personit tim, kur shumica e mbështetësve të mi ishin pesimistë se kryetari i partisë ishte rreshtuar pro një emri tjetër dhe i druheshin ndërhyrjeve në proces.

Nëse duam një parti fituese, duhet të tregojmë vullnet politik se jemi kundër emërimeve, dhe primaret janë vetëm një hap. PD ka protestuar kundër manipulimin të votës, prandaj duhet të jemi ne të parët që të ofrojmë në vazhdimësi procese si primaret, ku mbrohet vota e lirë dhe e fshehtë. Vlerësoj se primaret sollën aktivizimin e mijëra demokratëve të heshtur, që ishin lënë spektatorë në çdo vendimmarrje. Si mund të kërkosh votën e qytetarëve kur nuk ke mbështetjen e partisë tënde?! Prandaj primaret i dhanë kandidatëve besim dhe legjitimitet.

  1. Jeni zyrtarisht kandidati i opozitës për betejën kryesore të 14 majit, atë të Tiranës. Sa përgjegjësi ndjeni dhe cili do jetë roli i rivalit tuaj në garën e primareve, Ilir Alimehmeti, në fushatën që keni ndërmarrë për të fituar kryeqytetin? 

E gjithë vëmendja mediatike dhe e opinionit publik ka qenë në primaret e Tiranës. Meritë për këtë i shkon së pari Dr. Ilirit, pasi me përfshirjen e tij në politikën aktive dha mesazhin se sa nevojë ka klasa politike për qytetari dhe për prurje nga shoqëria civile. Në pak kohë, Dr. Iliri arriti të fitonte besimin e shumë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, duke i dhënë vlerë garës sonë, duke e bërë më tërheqëse dhe njëkohësisht të vështirë për mua, si njeri politik, i rritur në strukturat e PD-së. Jam i lumtur që fitova një garë të fortë. Të gjithë kandidatët dhanë më të mirën e tyre, prandaj unë sërish i ftoj të gjithë të punojmë si ekip në fushatën për Tiranën, në veçanti Dr. Ilirin, për modelin që ai përfaqëson, për profesionistin dinjitoz dhe qytetarinë që shfaqi në përballjen tonë. Bashkia Tiranë ka nevojë për modele të tilla. Kryebashkiaku aktual vendosi shokët e tij në funksione drejtuese në bashki. Unë dhe Dr. Iliri nuk njiheshim personalisht, por kjo nuk më pengon të shoh dhe të vlerësoj tek ai vlerat qytetare dhe njerëzore që i duhen një funksioni të lartë drejtues. Dr. Iliri do të jetë një vlerë e shtuar në fushatën tonë. E vlerësoj jashtë mase botëkuptimin e tij politik dhe qasjen mendjehapur qytetare dhe të pagjasë që tregoi në përfundim të garës. Do të jemi bashkë për të fituar zemrat e qytetarëve.

3. Përballë në garë keni Erion Veliajn, njeriun që mban dy herë mandatin si kryebashkiak ( një prej tyre pa rival në garë) dhe pretendon publikisht me prepotencë, të tretin. Madje për shkak të potencialit financiar e propagandistik mediatik të kundershtarit, beteja e Tiranës konsiderohet shpesh si e pamundur. Si do thyeni këtë oponion të përhapur taktikisht nga megafonët e rivalit tuaj, për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të Tiranës të njohin realisht shanset e ndryshimit? 

Unë nuk jetoj me mite. Në jetë orientohem duke arsyetuar, dhe nga arsyetimi im kuptoj se këto taktika që ju përmendni janë tregues se kryebashkiaku është në gjendje të bëjë gjithçka për të qëndruar 12 vjet në pushtet. Më ngacmon fakti se është kaq lehtësisht e pranuar nga mediat dhe shoqëria se ky person ka gjithë këtë pushtet financiar dhe mediatik. Nuk ndodh në një shtet të Bashkimit Europian të thuash kaq hapur dhe të pranohet gjerësisht si të ishte normale, se kryebashkiaku ka para për të blerë çdo megafon, se pushteti i tij financiar dhe propagandistik është kaq i frikshëm për çdo rival! Ju nuk jeni të vetmit që ma thoni. Më pyesin çdo ditë se si mund të thyhet një makineri e tillë pushteti. Përgjigjja ime është e njëjtë edhe për ju:
Me ndershmëri, me alternativë programore, me ekip. Me ekip, sepse kryebashkiaku nuk është gjitholog. Kryebashkiaku është administrator, jo drejtor komunaleje, jo urbanist, jo inxhinier ndërtimi me projekte zbatimi në duar. Kryebashkiaku nuk është kuzhinier mense, nuk është gjendje civile, as prift që marton njerëzit. Kryebashkiaku i Tiranës nuk është kryetar shteti, që të shpërndajë pasaporta dhe shtetësi. Kryetari delegon punët dhe përgjegjësitë kur ka rreth vetes ekip profesionistësh. Kryetari aktual organizon dëgjesa ku ekspertët dëgjojnë atë. Duhet të jetë e kundërta. Duhet të kesh modestinë të pranosh se nuk je i gjithëditur, as showman, je administrator. Në 8 vjet, Veliaj administroi vetëm rrjetet e tij sociale, imazhin e tij, jo të Tiranës. Sot kemi dy imazhe, Veliaj dhe Tirana. Janë dy imazhe diametralisht të kundërta.

Nuk duhet të qelbet Tirana që të shkëlqejë kryebashkiaku. Kullat që ka ndërtuar eklipsojnë atë vetë, prandaj ai retushon fotografitë, dhe kjo është puna e tij e përditshme. Ai censuron imazhin e Tiranës për të kuruar imazhin e vet. Alternativa ime është të bëjë krejtësisht të kundërtën e tij. Unë po rivalizoj një model që personalisht neveris, një model hipokrizie, mashtrimi dhe hajdutërie. Ofroj modelin e administratorit, jo të llafazanit. Ofroj modelin që kur flet puna, hesht kryebashkiaku. Kështu i shërbej bashkëqytetarëve të mi, jo ata mua. Kështu duhet të punojë bashkia për qytetarët, jo anasjelltas.

 

  1. Cilat janë sipas jush problematikat më të mëdha me të cilat haset sot Tirana?
    A keni një plan specifik për të ndalur betonizimin e kryeqytetit? 

Jetojnë thuajse 1 milion banorë në Tiranë. Nuk ndjehet gjallëria ekonomike dhe kulturore.
Nuk ka fuqi blerëse, nuk ka gjallëri jashtë sheshit dhe Bllokut. Nuk mbaron dot punë në kohë me makinë e jo më me transport urban. Tirana është një xhungël urbane. Ka betoniere kudo nëpër qytet që amortizojnë rrugët, për të cilat do të paguajnë qytetarët, jo firmat e ndërtimit.

Ngrihen kulla e pallate kur kemi me mijëra apartamente të pashitur. Mbyllen rrugë e rrugica lagjesh pa njoftim. Shtrenjtohet jeta, shtrenjtohen apartamentet, vështirësohet më shumë mundësia për të patur një strehë tënden. Kryebashkiaku thotë se ka rritur vlerën e apartamenteve për të justifikuar çmimet e tyre të larta. Po kush ka kaq shumë para për të blerë miliona metra katrorë ndërtim veçse pastruesit e parave të pista?! Çiftet e reja nuk kanë mundësi. Prindërit tanë kanë një jetë punë dhe nuk i blejnë dot. Tirana është e pajetueshme nga stresi ekonomik, nga trafiku, nga mungesa e gjelbërimit, nga ajri i ndotur kanceroz. Po ke vjedhur Tiranën ke vjedhur Shqipërinë. Në vijim do të shpalos me ekspertizën e ekspertëve, jo të gjithologut, Planin për Shpëtimin e Tiranës, ku një pikë kryesore do të jetë Moratoriumi i Përkohshëm i Ndërtimit Rezidencial derisa ne të kemi të qartë nga ekspertët se ku duhet ndërtuar, sa kate duhen lejuar, sa njësi shërbimi, për të orientuar ekonominë e qytetit, që të mos kemi qepena të ulur, të mos kemi pallate pa parkingje dhe mjedise rrethuese, ku firmat e ndërtimit të kontribuojnë realisht në ndërtimin e një qyteti funksional, të jetueshëm, me hapësira të mjaftueshme ndërveprimi.
Do të ndërpres urgjentisht kuturunë me ndërtime lagje më lagje, që janë bërë shkak për konflikte civile, ku banorët kacafyten për një vend parkimi.

  1. Cili është premtimi primar i Belind Këlliçit për qytetarët e bashkisë së Tiranës, të cilin do ta vëjë në zbatim sapo të ulet në karrigen e të parit të kryeqytetit?

Në çastin që do të hyj në zyrën e kryebashkiakut do të kërkoj audit të përgjithshëm ndëkombëtar për të gjithë tenderat, lejet e ndërtimit dhe çështjen e inceneratorëve që personalisht jam angazhuar si opozitar, në funksion të plotësimit të Dosjes “Veliaj”, të cilën do e depozitoj me të gjithë dokumentacionin e bashkisë në SPAK. Paratë që janë vjedhur duhet të kthehen! Nuk do të lejoj që kryebashkiakut t’i heqim vetëm pushtetin politik dhe t’i lëmë atë financiar. Si kryebashkiak, unë nuk do e “amnistoj” paraardhësin tim. Paralelisht, pezullimin e mbindërtimit në Tiranë për t’i dhënë frymëmarrje kryeqytetit dhe nisjen e punës për një Tiranë policentrike, që jeton kudo, jo vetëm në Bllok.

INTERVISTA/ Belind Këlliçi: Fitojmë Tiranën me ndershmëri, alternativë dhe ekip. Nuk do lejojmë të qelbet kryeqyteti që të shkëlqejë kryetari!

Vuçiç merr në mbrojtje Edi Ramën dhe

INTERVISTA/ Belind Këlliçi: Fitojmë Tiranën me ndershmëri, alternativë dhe ekip. Nuk do lejojmë të qelbet kryeqyteti që të shkëlqejë kryetari!

Dy fjalë përfundimtare për çupat e Rilindjes

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko