“36 monumente më pak”, Si vilat e vjetra të Tiranës po zëvendësohen me pallate

0
397
Kandidati i PS per Bashkine e Tiranes, Erion Veliaj, duke folur gjate mitingut permbylles te fushates se Aleances per Shqiperine Europiane, ASHE, ne sheshin “Nene Tereza”, per zgjedhjet lokale te 21 qershorit. /r/n/r/nCandidate of Socialist Party for mayor of Tirana, Erion Veliaj, speaks during the closing campaign of Aliance for the European Albania, AEA, in the square "Mother Teresa", for local elections on 21 June.

Autore: Entenela Ndrevataj | Citizens Channel | Tiranë

“Më erdhi shumë keq…Këtu ishte një lulishte shumë e bukur. Nuk e kuptoj pse. Gjithkush që ka ardh këtu thotë: ‘Pse humbën këto vila këtu?’ Ku di unë, gjynah!”

Kështu shprehet Myzejen Lika, banore e rrugës Kont Urani, e cila qëndron afër një trualli të rrethuar me llamarina të bardha, aty ku dikur qëndronte në këmbë vila me fasadë portokalli e familjes Harxhi. E lindur dhe rritur në atë zonë, Myzejeni thotë për Citizens Channel se ka ndjerë keqardhje të thellë ditën që në terren u shfaqen makineri për ta shembur.

E përjetuam shumë keq, jashtë mase. Ne u çuditem, si të prishet ajo thamë. Se ishte vilë e bukur shumë dhe bile aty e kishte të shkruajtur Harxhi, Doktor Harxhi i thojshim ne”, – kujton Myzejeni.

 

Myzejen Lika, banore e lagjes “Kont Urani”

 

Më 29 tetor të vitit 2021, makineritë filluan punë dhe rrafshuan godinën e ndërtuar pas vitit 1930. Vila dy-katëshe në vitin 2015 mori statusin “Monument Kulture Kategoria II”, për ta humbur vetëm pesë vite më pas.

Urdhri nr. 276, datë 16/07/2015 i Ministrisë së Kulturës e listoi këtë vilë si të pasuri e trashëgiminë kulturore. Në skedën e plotësuar nga institucioni, siguruar nga Citizens Channel, gjendja e godinës përshkruhet e mirë dhe propozohet ndërhyrje sistematike për ta mirëmbajtur.

Kërkesa për heqjen e vilës nga lista e monumenteve kulturore është kërkuar nga vetë pronarët. Kësisoj, në dhjetor të vitit 2020, u përpilua një relacion, dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ku u kërkua rishikimi i statusit të godinës, pasi ka humbur elementë arkitekturorë dhe është degraduar ndër vite.

Në po atë muaj që u dërguar relacioni, vilës Harxhi që mbante kodin II-149, iu hoq statusi Monument Kulture, për mungesë interesi kulturor.

Në muajin shkurt të vitin 2021, fill pas heqjes së vilës nga lista e monumenteve kulturore, Bashkia Tiranë miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor (PDV), që parashikonte ndërtimin e një pallati 8-katësh (i katërti në këtë rrugicë në vetëm pak vite), në truallin ku ngrihej vila.

Statusi nuk i mbron godinat historike nga shkatërrimi

Citizens Channel ka krijuar një databazë të plotë të propozimeve dhe vendimeve për rishikim të statusit “Monument Kulture Kategoria I” dhe “Monument Kulture Kategoria II” për pesë vitet e fundit.

Sipas analizës së kryer nga Citizens, për 45 godina/vila Monument Kulture të marra në studim në Tiranë kemi 36 urdhra për heqje të statusit, veprim që ka çuar në shembjen e 17 vilave/godinave historike dhe zëvendësimit të tyre me pallate.

Dy prej godinave të shembura kanë pasur statusin “Monument Kulture Kategoria I”.

Disa prej këtyre vilave/godinave, ndonëse vijojnë të mbajnë statusin “Monument Kulture Kategoria II” janë të degraduara ose pjesërisht në funksion.

Relacionet e marra nga IKTK-ja na tregojnë se degradimi dhe mungesa e investimit nga pronarët janë argumenti kryesor pse një vilë humbet statusit dhe më pas kthehet në kantier ndërtimi.

Në relacionin e siguruar për godinën nr 42 në rr. Tefta Tashko Koço, e shpallur Monument Kulture Kategoria I në vitin 1987, godinë 200-vjeçare e cila ka shërbyer gjatë komunizmit si Komiteti i Kulturës dhe Arteve, theksohet se mungesa e investimit ka çuar në humbje të vlerave kulturore dhe historike.

Pronarët me mundësitë e pakta ekonomike që kanë përjetuar pas viteve 90’, janë preokupuar më tepër për të siguruar jetesën e tyre dhe jo për të mirëmbajtur ambientet e brendshme dhe të jashtme të kësaj godine”- shkruhet në dokumentin e përpiluar, që kërkon që godinës t’i hiqet statusi.

Një tjetër relacion për një tjetër godinë thekson se degradimi nga mungesa e investimit është një element i cili përkeqëson fasadën e qytetit.

Gjendja e degraduar e këtij objekti përbën një pamje të shëmtuar të fasadës kryesore të objekteve përgjatë rr. Elbasanit, meqenëse prej kohësh nuk është investuar në të”, – shkruhet në relacionin e hartuar për një ndër godinat Monument Kulture Kategoria II që mbarte kodin II-170, tashmë e shembur dhe e zëvendësuar me një pallat.

 

 

Relacionet e hartuara nga IKTK dhe Restauratorët për heqjen e objekteve Monument Kulture

Më tej, relacioni cilëson se tipologjia e vilës me kodin II-170 është e përhapur në Tiranë dhe degradimi i thellë ka bërë që objekti të mos paraqesë vlera të mëdha për trashëgiminë kulturore.

E njëjta vijë logjike shkon edhe për një tjetër godinë historike në zonën e Kont Uranit me kodin II-143, që në vitin 2015 mori statusin Monument Kulture Kategoria II. Relacioni i siguruar nga Citizens Channel kërkon nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që t’i heqë vilës dy-kateshë statusin, pasi degradimi i vilës ka bërë që të humbet çdo element i rëndësishëm arkitektonik, duke mos paraqitur më vlerë për trashëgiminë kulturore.

 

Në përshkrimin e gjendjes së godinës, theksohet se degradimi i godinës sjell dhe pamje jo të këndshme në një nga akset kryesore të Tiranës.

”Inspektorët e shkatërrimit”

Në dokumentet e siguruara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore theksohet se janë kryer inspektime në terren gjatë muajve nëntor – dhjetor 2017 për 150 vila të shpallura  Monument Kulture Kategoria II në vitin 2015.

Në kuadër të përditësimit të listës së monumenteve dhe verifikimit të gjendjes, Specialistë të Institutit të Monumenteve cilësojnë se disa prej këtyre godinave janë të dëmtuara si pasojë e mungesës së investimeve nga pronarët.

Disa prej këtyre godinave që morën statusin dy vite më parë, rezultojnë të braktisura nga pronarët për shkak të konflikteve gjyqësore. Pas inspektimit të kryer, në vitin 2018 sugjerohet që listës t’i hiqen 17 godina me status Monument Kulture Kategoria II.

 

Relacion nga Instituti i Monumenteve

 

Citizens Channel ka raportuar dhe më herët rreth rolit të Ministrisë së Kulturës në ruajtjen e këtyre monumenteve dhe investimeve të bëra.

Për periudhën 2016-2021, IKTK-së nuk i janë akorduar fonde publike për mirëmbajtjen e vilave/banesave me status monument kulture në qytetin e Tiranës, të shpallura në vitin 2015”, – shkruhet përgjigjen zyrtare të marrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Kësisoj, barra për mirëmbajtjen e godinave/vilave historike, rëndon vetëm në shpinën e pronarëve.

Kam hasur shumë raste kur në momentin që dikujt i shpallin vilën monument kulture, e sheh gati-gati si një lloj tragjedie, si një lloj fatkeqësie që i ka ndodhur”,- thotë për Citizens Channel arkitekti dhe dekani i universitetit “Polis”, Ledian Bregasi.

Shpallja me ligj i ndërtesës monument kulture të jep një serë detyrimesh por nga ana tjetër nuk të jep asnjë lloj benefiti, asnjë lloj mbrojtjeje”, – shpjegon Bregasi.

Sipas ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, në nenin 22 thuhet se pronarët ose poseduesit e pasurive kulturore duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e objektit. Në rast dëmtimi të objektit, pronarët duhet ta riparojnë atë në formën origjinale.

Në rastet më të mira, arrijmë deri në mbrojtje të godinës, por nuk diskutojmë asnjëherë si kjo ndërtesë mund të futet brenda një cikli ekonomik zhvillimi”, – citon arkitekti Ledian Bregasi.

 

Ledian Bregasi, arkitekt dhe dekan i universitetit “Polis”

 

T’i japim një alternativë edhe banorëve, që mos të shpresojnë vetëm te ato dy apartamentet dhe një dyqan që do të marrin, por të jenë vetë të interesuarit e parë që kur të jenë përballë dilemës që të ruajnë ndërtesën historike apo ta japin për pallat, edhe ekonomikisht t’u interesojë ta ruajnë”, – përfundon ai.

“Një vështrim në etapat historike të kryeqytetit”

Etleva Dobjani, Përgjegjëse e Departamentit të Arkitekturës në Universitetin “Barleti” tregon fazat në të cilat ka kaluar ndërtimi i Tiranës.

 “Nëse do ta fragmentonim zhvillimin urbanistik të qytetit të Tiranës, atë mund ta ndanim diku në tre periudha kryesore që janë midis 1912-1941, pastaj 41-90’ dhe pas 90-tës.

 

Zhvillimet e para midis 12’-41’ i përkasin kryesisht zhvillimeve sipas planeve që janë bërë nga arkitektë italianë si Bosio, Di Fausto të cilët i dhanë një fytyrë të re qytetit të Tiranës, kryesisht të ngjashëm me një qytet romak.

Gjurmët kryesore që gjeneruan të gjithë formën e qytetit ishin aksi veri-jug, bulevardi kryesor që ne mund ta quajmë në qytetet romake si kardo, pra lidhja midis polit të veriut dhe polit të jugut dhe de-humanus, që ishte rruga tjetër që lidhte qytetin nga lindja në perëndim, ku në qytetin e Tiranës njihet shumë mirë me gjithë rrugën që përshkohet përgjatë Lanës.

 

Në periudhë komuniste që ka pasur Shqipëria kemi pasur dy plane kryesore rregulluese që është ai i 57-tës dhe i 89-tës. Në këtë periudhë pati një lloj ndryshimi në konceptin e godinave; nga godina më të vogla, një familjare ose dy familjare, në godina shumë familjare. Pra, filluam të kishim ndërtesa, pallate te vogla deri në 6 kate.

Në periudhën e komunizmit ne patëm edhe prishje të disa zonave historike dhe krijimi i lagjeve të reja që ne i themi nga tabularasa.

 

Deri në 90-tën ne kemi pasur një zhvillim urbanistik që i ngjan më shumë qytetit historik ku ne kemi qendrën historike dhe më pas kemi një bord ku limitohet zhvillimi i qytetit dhe ky bord për ne ishte unaza e madhe që njohim sot. Pas 90-tës qyteti shpërtheu.

1990-2020: Nga qendër historike në qendër pallatesh

1768 është numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet prej vitit 2015. Viti 2016 shënon fillimin e rritjes së vrullshme të ndërtimit, që kulmon me 388 leje në vitin 2018, ndërsa për çdo vit numri i lejeve nuk ka rënë nën 250, shifër 6 herë më e lartë se ajo e vitit 2012.

Arkitektja Dobjani tregon se deri në vitin 2010, harta e Tiranës historike ishte e lexueshme; Këtë dekadë, pohon ajo, ndërtimet e kanë zhdukur karakterin historik.

Dekadën e fundit ne kemi shumë gradaçela që janë krijuar dhe në zonën e qendrës historike. Mezi lexohet qyteti kopsht, mezi lexohet zona e qendrës ku kishim akoma vilat me qerpiç apo vilat e italianëve”.

 

Ndërtimet në qendrën e Tiranës

 

Tashmë një pjesë e tyre janë prishur dhe janë lënë në mëshirë të lejeve të ndërtimit për pallate”, – thotë për Citizens Channel Dobjani.

Zhvillimi i beftë i qytetit, vijon më tej Dobjani, nuk po i ofrohet si mundësi qytetarëve për hapësira publike.

Vendin e këtyre zonave historike po i zënë pallatet mjaft të larta, pra godina ose multifunksionale, ose rezidenciale të cilat nuk është se i japin një lloj karakteri qytetit. Pra, nuk po ndërtohet një teatër i ri, nuk po ndërtohen godina publike që të jenë në shërbim të qytetarëve”.

 

Etleva Dobjani, arkitekte dhe përgjegjëse Departamenti,
Universiteti “Barleti”

 

Të njëjtin qëndrim ndan edhe arkitekti Ledian Bregasi. Ai shpjegon se shembja e trashëgimisë po çon në humbjen e kujtimeve, të shkuarën. Zhvillimi urban me shumë kulla, vijon Bregasi, e kthen qytetin në një zonë ku nuk jetohet.

Modelet e kullave kanë 100 vite që provohen në Evropë, në Amerikën e Veriut, në Amerikën e Jugut, në Afrikë, në Kinë. Janë modele që kthehen shume lehtë në periferi, në zona ku vetëm punohet gjatë ditës dhe gjatë mbrëmjes nuk ndodh asnjë gjë”.

Fenomeni i ndërtimit të kullave në qendër të Tiranës po shkakton fenomenin e xhentrifikimit, ku një zonë bëhet tepër e shtrenjtë për pjesën më të madhe të shoqërisë, duke thithur zhvilluesit dhe një grup të caktuar njerëzish.

Dikur diskutohej mbi këtë idenë e policentrizmit, e Tiranës policentrike, pra që zhvillimi mos të ndodhte vetëm në qendër po të ishte i shpërndarë”, – shpjegon Bregasi për Citizens Channel.

Qendra po bëhet gjithmonë e më e shtrenjtë dhe njerëzit, klasa e mesme, e ulët, detyrohet gjithmonë e më shumë drejt periferive”, – thekson ai.

Të gjitha ngjarjet, zhvillimet, ekonomia gjithmonë e më shumë po përqendrohet në pak pika dhe prandaj është duke ndodhur edhe ky densifikimi, dendësimi, zhdukja e zonave historike sepse biznesi tërheq biznes, paraja tërheq paranë, njerëzit tërheqin njerëzit”, – përfundon Bregasi.

Çmimet e apartamenteve në Tiranë do të pësojë rritje të vazhdueshme

Arbër Brahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) shprehet se ndërtuesit investojnë aty ku ka mundësi dhe parcela më të mëdha për ta.

“Një qytet i vogël që po ndërtohet, në afërsi të Mëzezit, në dalje të Tiranës ka çmimin prej 590 euro metri katror. Çmimi më i lartë që kemi hasur në Tiranë ka qenë 4200 euro metri katror”.

Zhvillimin e Tiranës, Arbër Brahaj nga NAREA, e konsideron kaotik, ku një ndër “viktimat” e saj ka qenë edhe trashëgimia kulturore.

“Zhvillimi i Tiranës është kaotik. Si i tillë ai ka krijuar problematika shumë të mëdha. Një pjesë e asaj problematike që quhet është edhe humbja e identitetit”. – cilëson Brahaj për Citizens Channel.

 

Arbër Brahaj, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluejtshme të Shqipërisë

 

Ai tregon se zhvilluesit e pallateve shpesh kontaktohen nga pronarët e monumenteve të kulturës për t’i kthyer godinat e tyre në pallate, pasi shpesh janë një numër i madh pronarësh dhe është i vështirë dakordësimi për ta ruajtur dhe mirëmbajtur.

Së fundmi, Brahaj sqaron se çmimet e ndërtesave do të kenë rritje eskponenciale çdo vit, pasi fitimet ndahen mes ndërtuesit dhe pronarëve të tokave, ku këta të fundit shpesh marrin shpesh 40-45% të koeficientit ndërtimit. Nga ana tjetër, zhvilluesi i paguan një taksë prej 11% Bashkisë Tiranë. Duke llogaritur edhe siguracionin e detyruar për 10 vite, që është në total rreth 2%, kostot për ndërtuesit janë rritur ndjeshëm.

Plani i Përgjithshëm Vendor TR030: Një retorikë boshe

Arkitekti italian Stefano Boeri ka hartuar planin e ri të përgjithshëm vendor të quajtur Tirana 2030. Ky projekt u miratua në vitin 2017 dhe një ndër pikat qendrore të këtij plani është ruajtja e trashëgimisë kulturore.

“Plani i përgjithshëm vendor TR030 bazohet në idenë e ruajtjes së godinave historike pasi kjo është e domosdoshme për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe Tiranës dhe pasi kjo e fundit të mund të kthehet në një muze në qiell të hapur i gjeopolitikës së Shekullit të XX”, – shkruhet në raportin përmbledhës TR030.

Plani strategjik, në pikën tetë, sqaron se: TR030 synon të krijojë një harte unike që të mund të mbledhë katalogimin e pasurive të mbrojtura dhe të nënvizojë karakterin historik dhe kulturor dhe simbolik të godinave historike.

Aktualisht, gjatë dhe pas miratimit të këtij plani, Tirana ka humbur 17 godina monumente historike të kryeqytetit, të cilat janë zëvendësuar me pallate dhe një numër i madh i tyre janë drejt degradimit total, në pritje për t’u kthyer në kantiere ndërtimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here