Viti 2022 u mbyll me numrin më të ulët të lindjeve në Shqipëri të të paktën 6 dekadave të fundit.
Teksa kryeministri Rama uroi 11 foshnjat e para të vitit 2023, ai deklaroi se është dhënë bonusi i bebes për 42 mijë fëmijë gjatë vitit të kaluar.
Por bonusin e marrin edhe ata fëmijë të familjeve shqiptare të lindur jashtë vendit. Ndërsa brenda vendit tonë, statistikat e INSTAT tregojnë një numër thuajse dyfish më të ulët të lindjeve.
Për nëntë muajt e parë të 2022-it, kishin lindur vetëm 17 mijë bebe në të gjithë vendin, ndërsa në total për vitin kjo shifër nuk pritet të kapërcejë 24 mijë. Shifër 30% më e ulët se në fillim të mandatit të parë të qeverisë Rama, kur maternitet shqiptare prisnin mbi 35 mijë të porsalindur çdo vit.
Arsyet kryesore të rënies së lindshmërisë lidhen më së shumti me emigrimin e të rinjve, por edhe me pasiguritë ekonomike e sociale.
Qeveria ka vendosur aktualisht si instrument të vetëm për të reaguar ndaj uljes së lindjeve bonusin e bebes. Kjo politikë vitin e shkuar ofroi rreth 3 miliardë lekë për nënat e reja, në formën e pagesës 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Por fakti që mbështetja financiare nuk arrin të mbulojë as kostot e shtatzënisë, si analizat, ka bërë që të mos ndikojë në nxitjen e familjeve të reja për të lindur.