Pikëpyetjet e ekonomisë shqiptare

0
255

Inflacioni ishte fjala në çdo bisedë këtë vit, nga ato të shkëmbyera mes ekonomistësh, tek ato në familjet tona. Sytë e qytetarëve u kthyen nga bordet e çmimeve, etiketat në supermarkete, tabelat e karburanteve, ecuria e bursave. Kjo sepse me çdo artikull, mall apo shërbim që shtrenjtohej, gërryente nga pak xhepat.

SA U PREK NIVELI I JETESËS I SHQIPTARËVE?

“Jemi një shoqëri e cila jemi me nivel të ulët të të ardhurave për frymë dhe në këtë aspekt çdo ndryshim, sado i vogël, impakton më shumë. Kështu që besoj se çdo familje shqiptare është prekur”, përgjigjet Enton Duro, ekspert për ekonominë. “Çdo familjeje shqiptare i është dashur të harxhojë rreth 8300 lekë të reja në muaj më tepër sesa ka harxhuar në 2021-shin”, thotë Klodian Muço, gjithashtu ekspert për ekonominë.

Nisja e Luftës në Ukrainë u pa si pikënisja e pandemisë së radhës për nga magnituda e goditjes që shkaktoi në ekonominë botërore. Në Shqipëri, çmimet u katapultuan menjëherë me justifikimin e luftës. Por kur konflikti vazhdon të zgjasë prej mbi 9 muajsh, kriza vazhdoi të thellohet.NGA NA ERDHI RRITJA E ÇMIMEVE?

“Nëse nuk do të kishte ndodhur lufta në Ukrainë, priteshin efekte të terja, në pasurinë e patundshme dhe tregje të tjera”, tregon Duro. “50-60% e inflacionit që kemi në vend është i importuar nga jashtë. Edhe ato pak produkte që prodhoheshin në vend u prekën nga inflacioni i importuar”, thotë Muço.

Sipas INSTAT, vendi prodhoi më shumë vende pune gjatë këtij viti dhe papunësia zbriti në shifra rekord, por bizneset po e vuajnë edhe më shumë mungesën e fuqisë punëtore. Qeveria rriti dy herë pagën minimale për të kundërvepruar çmimet, ndërsa vetë sipërmarrja u detyrua të bëhej më joshëse me rrogat që ofron.

POR A U RRITËN PAGAT MJAFTUESHËM?

“Pavarësisht përmirësimeve të dukshme që ka pasur, besoj se duhet të jetë tashmë vëmendje afatgjatë”, thotë Duro. “Nëse ekonomia shqiptare do të zgjidhë problemet e rritjes ekonomike duhet të shohë me urgjencë çfarë do të ndodhë në tregun e punës që duket se ka arritur në ngopje”.

“Në momentin kur shikon se çmimet e shportës së konsumit u rrit në me 10-15% dhe shikon që rroga u rrit me më pak se 1%, atëherë shihet që nuk ka indeksim. Është thjeshtë mbështetja anemike. Prandaj qytetarët ankohen për paga të ulëta”, thotë Muço.

Më shumë shqiptarë zgjodhën rrugën e kurbetit këtë vit: të rinj, profesionistë, punonjës të kualifikuar. Nga ata që i drejtohen azileve në Francë e Gjermani, tek të rinjtë me gomone drejt Anglisë, apo familjet që emigrojnë në mënyrë të rregullt me lotari drejt Amerikës apo me kontrata pune drejt Bashkimit Europian. Duket në fakt si një cikël i pandalshëm emigrimi, por me specifika shumë të ndryshme nga pak vite më parë.

KUSH PO E ZGJEDH SOT RRUGËN E EMIGRIMIT?

“Është një fenomen normal, global. Në momentin kur ndodh në shifra të ulëta nuk duhet të shqetësohemi. Por çdo vend ka fazën e vet migratore që zgjat përgjithësisht 3 dekada. Në momentin kur ka kaluar kjo periudhë dhe ne shikojmë fluks të ri migrator, atëherë Shqipëria ka diçka që nuk shkon”, thotë Muço. “Unë besoj që ata që largohen për një jetë më të mirë e bëjnë më shumë për aspektin social, sesa atë ekonomik”, thotë Duro.

Shtrenjtimi i energjisë ishte ndër frikat më të mëdha të familjeve shqiptare këtë fund viti. Ndërsa fatura totale e importeve u llogarit në disa qindra miliona euro. Kjo kushtëzoi investimet dhe ngushtoi hapësirën fiskale për mbështetjen e qytetarëve.

A DO TË KEMI KRIZË ENERGJETIKE VITIN E ARDHSHËM?

“Disa masa janë marrë”, thotë Duro. “Megjithatë besoj se sektori energjetik në vazhdimësi ka shfaqur probleme. Janë marrë nisma që kërkonin efekte afatgjata, por që nuk i kanë arritur”. “Kryefjala do të vazhdojë të jetë rritja e çmimeve. Inflacioni do të jetë më i lartë se sa kaq. Çmimet parashikohet se do të kenë rritje të vazhdueshme, nga ana tjetër nuk kemi asnjë masë konkrete për të ndihmuar”. Thotë Muço.

Nga kriza në krizë, çdo vit ka sjellë një të papritur këto kohë. Nga tërmeti në pandemi, nga energjia tek çmimet. Të bësh parashikime sigurisht është e vështirë.

CILA DO TË JETË KRYEFJALA E EKONOMISË NË VITIN 2023?

“Ajo që merr më shumë fokus është rritja ekonomike. Të gjitha institucionet e kanë reduktuar parashikimin për rritjen ekonomike. Kjo është e lidhur edhe me tregjet ndërkombëtare, pasi partneri ynë kryesor, BE, shumë vende të tij pritet të kenë recesion”, thotë Duro.

A2CNN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here