Në një komunikim për A2 CNN, Prokuroria e Posaçme thotë se nuk ka nisur hetim lidhur me verifikimin e pasurisë së Alda Klosit, ish-zyrtares së cilës iu vodhën në banesë mijëra euro. Deri tani, këtë hetim po e kryen Prokuroria e Tiranës, por nëse do të futet në lojë SPAK do të varet nga vlerësimi i nivelit të zyrtares, sa e lartë do të konsiderohet ajo. Klosi dikur ka punuar si shefe kabineti e Arben Ahmetajt kur ishte zv.kryeministër, ish-drejtoreshë koncesionesh, ndërsa punon aktualisht në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Ajo ka deponuar se 120 mijë eurot qe iu vodhën, ishin kursime të mbledhura për kurimin e xhaxhait të saj të sëmurë. Por ndërkohë, Rozeta Dobi, ka deklaruar se edhe shuma prej 400 mijë eurosh shtesë që iu gjet në banesë, është marrë në shtëpinë e Klosit. Nëse deklarata e Dobit do të vërtetohet, atëherë barra e provës për të vërtetuar se me sa burime të ligjshme i ka këto pasuri i takon Klosit.
Policia ka siguruar listën e kontakteve që pastruesja Rozeta Dobi ka pasur dhe duke qenë se një pjesë e sendeve me vlerë që i janë gjetur në shtëpi janë të personalizuara, kanë emra apo iniciale personash dhe data, e ka pasur më të lehtë identifikimin e pronarëve të tyre. Deri tani, mësohet se të paktën dy nga këta persona që janë pyetur nga grupi i hetimit kanë pranuar që e kanë pasur si punonjëse në banesën e tyre dhe kanë njohur mes sendeve të vjedhura nga Rozeta Dobi sende që iu përkisnin atyre, por kanë mohuar që iu janë vjedhur edhe para.