Kryetari demokrat, Sali Berisha, e konsideroi dje Enkelejd Alibeajn si “zbatues të urdhrave” të Edi Ramës, pasi përjashtoi nga grupi parlamentar katër deputetë të Partisë Demokratike.
Në një prononcim për mediat jashtë selisë blu, Berisha deklaroi se Alibeaj me këtë vendim ka shkelmuar më shumë mbi dinjitetin e tij. Sipas kreut të PD-së, e ardhmja e grupit parlamentar do jetë një grup që do të mbrojë interesat e qytetarëve në Kuvend.
“Zbatonjësi mjeran i urdhrave të Edi Ramës. I keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama. Zbatoi një urdhër të Edi Ramës duke shkelmuar dhe më shumë mbi dinjitetin e tij. E ardhmja e grupit parlamentar, do jetë një grup i cili do të mbrojë me gjithë potencialin e vet interesat e qytetarëve. Do bëjë gjithçka për të shumëfishuar kontrollet. Kjo qeveri nuk ka se ku ta kapësh më parë”, u shpreh z. Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse do të pranojë Ervin Salianjin si kryetar të grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se do të pranojë vullnetin e deputetëve demokratë.
“Salianji është nënkryetar grupi. Unë do pranoj pa diskutim vullnetin e deputetëve të PD-së. Ju e morët vesh skandalin e fundit të Erion Veliajt që hapi tenderët për të fituar vetë paratë. Mos kujtoni se është rast i izoluar. Do mësoni shumë për këtë person, që nuk ka të ngopur në vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë. Ishte një episod, por një episod unik”, deklaroi Sali Berisha.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi dje kryeministrin Rama se ka tentuar të fshehë identitetin e Alda Klosit, lidhur me vjedhjen e rreth 520 mijë eurove në shtëpinë e saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shprehet se e njëjta skemë është ndjekur më herët edhe ndaj ministrave të Ramës, që u janë grabitur banesat.
“Edi Rama bëri gjithçka fillimisht të fshihte identitetin e Alda Klosit, pasi këtë kishte bërë në raste të tjera me sukses me ministrat e tij kur ishin vjedhur banesat si Gjiknuri apo flitet për Beqja e Spiropali e të tjerë”, deklaroi lideri demokrat.
Sipas Berishës, rasti i Alda Klosit është dëshmi e vjedhjeve që nxori zbuluar një pjesë të korrupsionit qeveritar. “Rasti i Rozeta Dobit, Alda Klosit është heqja e kapakut të një pusete, në të cilët vërshuan në të katërta anët gjirizet e llumit qeveritar. Në këtë kontekst ajo që bën më përshtypje është se si ka mundësi një njeri që vjen me një apartament të 40 m2 në Tiranë, lumturohet me 7 të tjera të tilla, pa llogaritur makinat, bizhutë etj.”.
Përveç denoncimit të rastit të Alda Klosit, Berisha ftoi të gjithë anëtarët e PD-së të bëhen pjesë e fushatës për zgjedhjen e këshilltarëve për komunat dhe bashkitë për zgjedhjet lokale të 14 majit.