Gazetari veteran italian: Mafies shqiptare i pëlqen të korruptojë dhe jo të vrasë

0
199

Nuk ka dallim mes mafies dhe organizatave kriminale që veprojnë në Shqipëri.

I këtij mendimi është gazetari i mirënjohur italian, Salvatore Cusimano-kronist i periudhës së masakrave të viteve ’92, ’93 dhe i dërguar dhe drejtor i RAI-t asokohe në Palermo.

Ai, në një intervistë dhënë për Albanian Post, theksoi se të gjithë këtë aktivitet të krimit në Shqipëri, ta quash krim i organizuar dhe jo mafie është një mënyrë për të fshehur gjërat.

“Kjo në kuptimin që ato kanë kontrollin e territorit në bërjen e bizneseve të paligjshëm, nga tenderët te gjobëvënia deri te trafiku i drogës, kanë marrëdhënie me botën e biznesit dhe politikën, në thelb kanë forcën për të frikësuar tejet ambientin e shoqërisë që i rrethon”.

Cusimano thotë se shpesh mafia lidhet vetëm me sulmet e vrasjet e përgjakshme, por si shembull sjell Ndrangheta-n, e cila nuk kryen sulme dhe ka adoptuar një sjellje më në heshtje.

“Por mos harroni, mafia në përgjithësi ka një histori shumë të gjatë që filloi me bashkimin e Italisë, dhe fillimisht kaloi nga vitet 1800. Pra ka një histori gjatë së cilës ka jetuar gjithmonë me pushtetin, nuk e ka sfiduar kurrë. Ishte vetëm Salvatore Riina që sfidoi shtetin”.

Ndaj për të, fakti që në Shqipëri nuk ka sulme serioze ndaj përfaqësuesve të institucioneve nuk do të thotë asgjë.

Kjo, sepse interesi i mafies shqiptare është të punojë nën mbulesë, të korruptojë e jo të vrasë, të frikësojë e të sjellë pëlqimin te politikanët.

I pyetur për dëmin që mafia i bën shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi, Cusimano kërkon që të shihet realiteti i Siçilisë.

Ai shprehet se, ishulli ka burime të jashtëzakonshme që lidhen me turizmin, bukurinë e vendeve etj., megjithatë është një shoqëri në nënzhvillim, një shoqëri në të cilën kompanitë e firmat e mëdha nga vendet e tjera nuk vijnë nga frika se mos bien nën presionet mafioze.

“Sigurisht që fajin për këtë e ka politika e keqe, por e ka edhe mafia”.

E thjeshtë, sepse po të mos kishte pasur “mafia-n, Sicilia do të ishte Kalifornia e Mesdheut, siç ndoshta do të kishte qenë edhe Shqipëria, nëse nuk do të kishte pasur një fuqi autoritare, e cila shkatërroi identitetin e saj deri në rrënjë, nëse nuk do të kishte sot një krim të organizuar, i cili për shembull pengon kompanitë e mëdha evropiane të investojnë në territoret tuaja, ashtu siç nuk bëjnë në tonat”.

E ndërsa Italia e sfidoi mafien duke paguar një kosto reale, sipas kronistit e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe këtu.

“Për këtë nevojiten gjeste të forta thyerëse, gjeste që duhet të kryhen nga avangardat e vogla si p.sh. magjistratët, gazetarët, investiguesit”.

Cusimano ravijëzon se Italia duhej të priste masakrat e viteve 1992-93 për të qenë në gjendje për të pasur një protestë qytetare, kemi vuajtur vrasjet e eksponentëve kryesorë të gazetarisë, të gjyqësorit dhe të politikës.

“Pra, sigurisht që ka një çmim për të paguar, por nëse nuk do të ishte për ata, atëherë atë ditë do të kuptonim se do të kishim qenë totalisht një shtet mafioz”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here