Inceneratori i Tiranës/ Berisha: Fusha e plehrave në Sharrë, minierë floriri për Ramën dhe Veliajn

0
153

Fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili akuzon kryeministrin si “kreun e organizatës kriminale”, pas dokumenteve të publikuara një ditë më parë nga Partia e Lirisë.

“Dje u faktua se Edi Rama, për sipërmarrjen e tij, me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve”, u shpreh Berisha.

Sipas tij Rama firmosi bonus për kompaninë që nuk ekzistonte në asnjë regjistër, në asnjë dokument të këtij shteti.

“Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi, vetëm se ajo është sipërmarrja e tij. Vetëm e vetëm se ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien e tyre. Ai firmosi vetëm pasi autoriteti kombëtar i prokurimeve, i dërgoi shkresën sipas të cilës kjo praktikë është antiligjore. Edi Rama, siç e dini ju, ka firmosur për t’i dhënë bonus, kompanisë së tij, 8 përqind, në një kohë kur kjo kompani nuk ekzistonte në asnjë regjistër, në asnjë dokument të këtij shteti dhe ai kishte në zyrë shkresën e firmosur nga ministrja Ermonela Felaj, ku njoftohej se kompania për të cilën kërkohej mendimi që të merrte bonusin 8 përqind, nuk ekziston. Kjo nuk e pengoi Edi Ramën, se ai kishte ndërmend ta krijonte kompaninë. E vërteta është se kompania u krijua tetë muaj më vonë”.

Teksa akuzoi drejtësinë si të kapur nga mazhoranca, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër qeverisë që po bllokon çdo hetim dhe t’i dalin zot Shqipërisë.

“SKAP-i i partisë është mbuluar nga plehrat e qeverisë, nga djegësat e qeverisë. Faktet e paraqitura dje, provonin katërcipërisht se Edi Rama ka mashtruar në çdo fjalë. E vërteta është se çdo i ashtuquajtur OPGJ, apo BKH, apo SKAP-ist, mjafton të merrte një automjet dhe të shkonte në Sharrë të konstatonte se si Edi Rama dhe Erion Veliaj presin çdo ditë para dhe euro për kontot e tyre. Se si vjedhin ditën dhe natën. Se si qytetarët paguajnë për ta, jo 11 euro siç thotë kontrata, por me taksat e tyre paguajnë 29 euro, siç don Edi Rama dhe Erion Veliaj për kontot e tyre. Ky është një krim i shëmtuar, një vjedhje monstruoze. Kjo kërkon një përgjigje dhe këtë përgjigje mund ta japin vetëm qytetarët, kur SKAP-i është kthyer në SKAP vetëm kundër opozitës. Qytetarë dhe qytetare, shpresa e vetme jeni ju, është zëri juaj, është revolucioni juaj. Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe ka hapur dyert për vjedhjen tuaj ditën e natën. Ju bëj thirrje të ngrihemi kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje, që mbulohet nga ajo drejtësi, e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhje e krim të qeverisë shqiptare. Unë kam besim të madh se ftesës së opozitës, qytetarët do i përgjigjen me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria na fton t’i dalim zot!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here