Porti i ri Porto Romanos përveç shërbimeve të ngarkim-shkarkimit të mallrave do të ketë në fokus edhe shërbimet e transportit të pasagjerëve, pavarësisht se fillimisht qeveria tha se ky funksion do të mbetej Portit të Durrësit dhe se për qëllim po ndërtohej Marina e Moderne e Jahteve.
Autoriteti Portual i Durrësit ka bërë publike disa dhëna rreth projektit të Porti të ri në Porto Romano, (tabela bashkëngjitur) kur ndër të tjera sqarohet se Porti i ri do të përpunojë rreth 1 milionë pasagjerë në vit.
Hap pas hapi ajo që u prezantua si marina më e madhe në Ballkan për transportin e pasagjerëve po rezulton një projekt pasurish të paluajtshme luksoze dhe porti aktual i Durrësit do të shërbeje për parkimin e 200 mjeteve lundruese.
Shërbimi i pasagjerëve dhe mallrave do të kalojnë në Porto Romano. Vitin e kaluar Porti i Durrësit përpunoi më shumë se 688 mijë pasagjerë, nëpërmjet linjave ta trageteve drejt Italisë. Në historikun e transportit të pasagjerëve Porti i Durrësit ka përpunuar më pak se 900 mijë pasagjerë në vit, ndërsa ne Porto Romano pritet të përpunohen rreth 1 milionë pasagjerë në vit.
Autoriteti Portual i Durrësit pritet të tenderojë këtë vit fazën e parë të punimeve për portin e ri të Porto Romanos.
Punimet në këtë fazë kanë kosto rreth 390 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2025.
Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvendosja e shërbimeve tregtare dhe i pasagjereve nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.
Ndërkohë ky proces ka nxitur pasiguri tek investitorët dhe përdoruesit e Portit të Durrësit, pasi ndërtimi i një porti të ri kërkon investime të mëdha dhe një infrastrukturë krejt të re.
Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH.
Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat. Gjithsej vlera e projektit do të jetë rreth 2 miliardë euro sipas projektit teknik që hartoi kompania konsulentë Haskoningdhv Neederland./B.Hoxha
Monitor