Media e njohur amerikane TPM zbardh të tjera detaje nga skandali Rama-McGonigal.
Ish-shefi i kundërzbulimit të FBI në Neë York, Charles McGonigal është marrë i pandehur nga drejtësia amerikane për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj oligarkëve rusë, njerëz pranë Vladimir Putin dhe ryshfetin 225 mijë dollarë që ka marrë nga Edi Rama.
Rama e ka paguar njeriun e rëndësishëm të FBI për të lobuar kundër opozitës shqiptare dhe Partisë Demokratike në SHBA. Ky skandal i përmasave galopante dhe i pangjarë në 32 vite, ka tronditur opinionin publik shqiptar si dhe përbën një minim të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-SHBA. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA e mediat europiane, lajm i ditës është çështja Rama-McGonigal.
Një ditë më parë, mediat amerikane hodhën dritë duke zbuluar se kishte qenë ish e dashura e McGonigal e cila ishte bërë shkak për nisjen e hetimeve ndaj ish-shefit të FBI. Ajo kishte identifikuar Edi Ramën si të lidhur me McGonigal, duke ndihmuar hetimet amerikane për veprimtarinë e dyshimtë të dyshes në fjalë.
Ndërsa ditën e sotme, është një tjetër media amerikane, TPM, e cila raporton se McGonigal nuk ka qenë i vetëm në veprimtarinë antiligjore nga Shqipëria në SHBA. Një tjetër ish-agjent gjithashtu i FBI, ka bashkëpunuar me të, teksa hapën biznes në Tiranë, ndërsa në SHBA lobonin të dy kundër Partisë Demokratike.
Mark Rossini, ortak në biznes i McGonigal, pasi në Tiranë ata kanë patur aksione te LawOffice&Investigation, një fimë ligjore e hapur në vitin 2019 bashkë me Shefqet Dizdarin, në mënyrë të vazhdueshme ka mbajtur qëndrim për çështjet e brendshme politike të vendit, duke i konsideruar kundërshtarët politikë të Edi Ramës si pro-rusë.
Madje, në një status në Twitter, Rossini e ka quajtur kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha si pro-Putin. Sulmet ndaj Sali Berishës janë bërë me porosi direkte nga Edi Rama. Dy ish-agjentët e FBI kanë patur për mision të dëmtojnë politikisht Partinë Demokratike dhe drejtuesit e saj.
Nuk mungojnë as takimet e Rossinit me Agron Nezën, personi që dyshohet se i ka dhënë McGonigal pagesën cash prej 225 mijë dollarë.
Edhe kryeministri Edi Rama ka patur takime të rregullta jo vetëm me McGonigal, por edhe me Marko Rossinin, takime të cilat i ka pranuar publikisht, por duke i justifikuar si në kuadrin e bashkëpunimit dhe partneritetit për çështje të ndryshme.
Mirëpo, ajo që po zbulohet dita-ditës është se vetëm takime në interes të shtetit, luftës kundër krimit, korrupsionit apo fenomeneve të tjera, nuk kanë qenë – por në fakt kemi të bëjmë me pazare korruptive të Edi Ramës ndaj ish-zyrtarëve të FBI, të cilët i shërbenin kryeministrit duke i goditur kundërshtarët politikë.