Vila 30 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka një të shkuar të errët si vendi ku ish-kryeministri komunist shqiptar Mehmet Shehu – përballur me rrezikun e arrestimit dhe burgosjes – vrau veten.
Sot, si rikujtesë, në oborrin e vilës nën pronësi të qeverisë gjenden statujat e Leninit dhe Stalinit si dhe një Zis 69, një automjet që ishte i parapëlqyeri i policisë sekrete të kohës së Komunizmit “Sigurimi” për arrestimet në mes të natës.Gjithkush sot mund të vrasë mendjen se çfarë mendoi Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, kur pa këtë dekor ndërsa u mikprit nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më 19 prill të vitit të kaluar.
Pak gjë u komunikua në publik mbi takimin. Gjithsesi, dy muaj më vonë, Instituti Tony Blair për Ndryshim Global, TBI, publikoi një ofertë pune për këshilltar në Tiranë, në mbështetje të përmirësimit të shërbimeve të qeverisë shqiptare përmes aplikimit të teknologjisë dhe novacionit.
Tre muaj më vonë, në shtator 2022, TBI shpalli një vend tjetër të lirë pune – për një këshilltar të lartë për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Shqipërisë.
Kjo nuk është hera e parë që Blair, i cili la zyrën në vitin 2007, ka punuar me Ramën. Kur socialistët erdhën në pushtet më 2013, Blair u punësua si këshilltar.
Se çfarë nënkupton një punë e tillë, kjo është e paqartë, për shkak se kontratat nuk janë të disponueshme për publikun. Por, si qeveria shqiptare ashtu edhe Blair thonë se shërbimi vjen falas.
Gjithsesi, ish-kryeministri britanik nuk është i vetmi Blair që punoi për qeverinë shqiptare. Përgjatë të njëjtës periudhë, një kompani ligjore e drejtuar nga bashkëshortja e tij Cherie, mori qindra mijëra euro nga qeveria për shërbime të dhëna. Një përkim i tillë vërehet se ka ndodhur edhe në Serbi.
Ekspertë vendës thonë se kjo, dhe mungesa e transparencës në lidhje me kontratat me TBI, duhet të bëjnë që të bien kambanat e alarmit.
Në rastin e Shqipërisë “kjo e vë z. Rama dhe z. Blair në një marrëdhënie klienteliste,” thotë Rigels Xhemollari, një aktivist anti-korrupsion dhe drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, një organizatë me bazë në Tiranë.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë kërkimore në Tiranë, i tha BIRN: “Në një praktikë normale të shtetit të së drejtës i gjithë ky proces do të duhej hetuar.”
“Deklarata e vetme e qeverisë, se konsulenti nuk ka përfituar financiarisht nga shteti shqiptar është e pamjaftueshme, spekullative dhe krijon edhe më shumë dyshime mbi përmbajtjen e kontratës dhe llojin e angazhimit.”
TBI dhe Omnia Strategy, kompania e Cherie Blair, e cila ofron shërbime të specializuara në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe arbitrim, mohuan të kenë konflikt interesi.
“Kompania ligjore e zonjës Blair ka përfaqësuar Qeverinë e Shqipërisë shumë herë dhe i ka të gjitha të drejtat ta bëjë këtë,” tha TBI për BIRN. “Kjo është një praktikë ligjore që nuk ka të bëjë fare me punën e TBI.”
Omnia Strategy tha: “Puna e Omnias, në Shqipëri ose gjetkë, nuk ka të bëjë me punën e TBI.”
Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.