Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun ne PL Silva Caka deklaroi sot se Raporti i fundit i Transparency International vazhdon t’a rendisë Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në Europë.
“Në të kundërt nga fqinjët tanë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë përmirësime në nivelin e perceptimit të korrupsionit, Shqipëria , nuk ka pësuar asnjë përmirësim në renditjen globale të këtij studimi, për vitin 2022.
Nuk ka asnjë habi e pritshmëri nga kjo qeveri, e cila tentakulat e korrupsionit i shtrin edhe përtej oqeanit, duke tentuar të zhbëjë identitetin politik dhe etnik të shqiptarëve.
Madje, raporti do të ishte edhe më i zi, duke marrë në konsideratë që çështja “McGonigal” apo “Porti i Durrësit”, nuk kanë qënë publike në kohën e kryerjes së studimit.
E si pasojë e këtij korrupsioni që gërryen çdo ditë vendin tonë, shqiptarët , me të ardhurat mujore mund vetëm të ushqehen.
Raporti i fundit i Eurostat mbi varfërinë, tregon se shpenzimet për bukë dhe drithëra tek shqiptarët zënë 4.3% të PBB-së, nga 1.1%, që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Gjithashtu, për kategorinë ushqime, shqiptarët harxhojnë rreth 32% të PBB-së, në raport me mesataren europiane që është 7.1%.
Në fjalë të tjera, shqiptarët harxhojnë rreth 44% të të ardhurave të tyre, vetëm për të blerë ushqime.
Situata vijon të bëhet edhe më shqetësuese, kur rikujtojmë një tjetër studim të Eurostat-it, i cili tregonte se disa kategori ushqimesh, si mishi apo peshku, konsideroheshin luks nga shqiptarët e vjedhur nga qeverisja e Ramës, pa përmendur këtu pajisjet elektroshtëpiake, pushimet apo blerjen e banesave, që shqiptarët nuk lejohen t’i shohin as nëpër ëndrra.
Studimi e bën të qartë që kjo vjen vetëm si pasojë e një qeverisjeje që nuk mendon për shqiptarët dhe sfidat e tyre ekonomike në një periudhë ku inflacioni ka kapur majat. Të ardhurat shumë të ulëta, pasohen nga çmimet tepër të larta e të rritura në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo i bën shqiptarët të mos shohin dot më larg se buka e përditshme.
Qeverisja që ka për synim të rikthejë tollonin, nuk do t’ia dijë për shqiptarët; koncensionet, PPP-të, inceneratorët, kullat dhe trafiqet janë të vetmet objektiva të një qeverisjeje që po i vjen fundi edhe më shpejt se 14 Maji.
Sa më shumë ditë që kjo qeverisje do të vijojë të qëndrojë në këmbë, me apo pa patericat e saj, aq më shumë do të varfërohen e do të largohen shqiptarët; sa më shumë kjo qeverisje shtyn ditët e saj, aq më shumë ditë të zeza do të vijnë për vendin tonë.”