Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu e pyeti ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi lidhur me aksionin e policisë për heqjen e kamerave të jashtëligjshme nga policia, dhe pse këto kamera janë lejuar deri tani.
Çuçi u shpreh se lajmi i mirë është ndërhyrja për t’i hequr këto kamera, që siç theksoi është një hap shumë pozitiv në luftën kundër krimit.
Sipas ministrit, ajo që nuk është bërë i duhet lënë së shkuarës, pasi ky aksion sipas tij është një nga lëvizjet më të mira të policisë.
“Lajmi është që po ndërhyjmë dhe kjo është një gjë shumë pozitive për luftën ndaj krimit. Ka pasur një lloj kamuflimi sepse bizneset e kanë detyrim ligjor t’i mbajnë kamerat në ambientet e tyre. Por duhet t’ia lëmë të shkuarës dhe të përqendrohemi te lufta që po bën policia për t’i dhënë një mesazh krimit që nuk ka më hapësira. Kjo është një lëvizjet më të mira të policisë dhe fillim i mbarë i vitit”, tha Çuçi.