Skandali i vërtetë në aferën MacGonigal dhe Edi Rama nuk qëndron tek allishverishet që mund të kenë kryer midis tyre ishpërgjegjësi i lartë i FBI-së amerikane me Kryeministrin aktual të Shqipërisë. Në fushën e korrupsionit asgjë nuk habit, në asnjë vend në botë dhe në asnjë hallkë të pushtetit.
Që nga shembulli i virtytshmërisë, ish-Kancelari Helmut Kohl, babai i kombit, që realizoi bashkimin e Gjermanisë, por që rezultoi i korruptuar deri në palcë, e deri te kjo Ukrainë martire kur një rang zëvendësministrash vjedhin dhe pasurohen nëpërmjet luftës kur djemtë ukrainas po korren si bari në fushat e betejave për të ndaluar agresionin rus. Ca dallavere më pak a më shumë të një agjenti pensionist amerikan dhe një Kryeministri karnaval të një vendi të papërfillshëm në hartën e botës, nuk është kjo që shokon, ndonëse është tejet revoltuese si afera më e ndyrë në historinë e Shqipërisë postkomuniste.
Ajo që më shokon është heshtja dhe pasiviteti antikombëtar i drejtësisë shqiptare. Janë dy pole të kundërta që shfaqen para syve tanë. Nga një anë një drejtësi përtej Atlantikut që s’pyet për Zot në qiell apo imzot në Shtëpinë e Bardhë dhe heton pa frikë si ndaj presidentëve amerikane (Nikson, Klinton, Trump, Biden), ashtu edhe ndaj shërbimeve të inteligjencës amerikane që e konsiderojnë veten si edhe më të paprekshëm. Gjykimi që ka filluar ndaj ish-shefit të kundërshërbimit amerikan është tepër domethënës në këtë rast.
DREJTËSI PARODI
Krejt në skajin e kundërt qëndron drejtësia në Shqipëri, e ashtuquajtur e re, e ashtuquajtur alla amerikanshe meqenëse reformën e saj ia imponuan amerikanët Shqipërisë, por që nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë amerikane. Sa para vlen tani komedia e ambasadores Yuri Kim korridoreve të SPAK-ut dhe gjykatave kryesore shqiptare, duke u kërkuar me dorë në zemër, por edhe me tone kërcënuese të veprojnë në të mirë të popullit shqiptar, të hetojnë, të mos falin askënd, se askush nuk është mbi ligjin?
T’i bëhet pyetja sot kësaj zonje të nderuar, a po vepron drejtësia shqiptare si ajo amerikane? U bënë dy vjet që drejtësia në SHBA heton mbi ish-agjentin e FBI-it, duke nxjerrë prova të mjaftueshme të implikimit të autoriteteve shqiptare në korruptimin e ti. Plot dy vjet që drejtësia në të njëjtën dosje, por në krahun shqiptar nuk ka hapur asnjë hetim. Ky është skandali i vërtetë. Pyetja me të drejtë shtrohet, përse drejtësia shqiptare dhe ambasada amerikane në Tiranë kanë mbuluar Edi Ramën?
Si shpjegohet që drejtësia shqiptare e gjen kohën dhe kjo është e drejtë e saj, të studiojë kërkesa që të rihapen për revizion procese tashmë të gjykuara si zhdukja e floririt në ‘97 dhe 21 janari, dhe kjo drejtësi e re nuk paska gjetur kohë as këto dy vjet dhe as këto dy ditë t’i dëshmojë popullit shqiptar që e paguan me taksat e tij sesa serioze është për të hetuar me prioritet dosjen e shekullit Rama/MacGonigal? Të paktën sa për respekt për kolegët e tyre amerikanë, organet tona të drejtësisë duhet të kishin marrë në pyetje Kryeministrin qoftë me statusin e dëshmitarit.
U bënë 10 dhjetë vjet që Edi Rama drejton Shqipërinë. U bënë dhjetë vjet që një skandal i ri korruptiv të nivelit të lartë i zë vendin në media të nesërmen një skandali të mëparshëm që mendonim se kishte thyer rekorde. U bënë dhjet vjet që asnjëherë, të paktën vetëm një gjysmë here sa për një dëshmi a është apo jo në dijeni të kësaj apo asaj çudie, që Kryeministri i këtij vendi nuk është marrë kurrë në pyetje. Kurrë. Kur në të njëjtën kohë Biden në SHBA duhet të japë sqarime për dosjet konfidenciale të gjetura në shtëpinë e tij, apo kur ish-Kryeministri i para pak kohëve të Francës, Eduard Filip, thjesht për maskat e Covid-it që nuk ishin fare kompetencë e tij u mor gjatë në pyetje nga drejtësia franceze.
Kjo është drejtësia e vërtetë. Ajo që u tregon të fortëve se nuk ka frikë nga ata, ajo drejtësi që shqiptarët u besuan perëndimorëve se do t’ua sillnin në Shqipëri me reformën në drejtësi. Çfarë zhgënjimi sot! Çfarë skandali! Në momentin kur mediat në botë ziejnë nga skandali FBI/Edi Rama, drejtësia jonë ‘e re’ merret me ‘skandale’ vendase të para një dekade e gjysmë. Vërtet që në këtë moment shqiptarët po i ha shumë meraku se ç’bënte Shkëlzen Berisha para 15 vitesh në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe as kanë fare kureshtje se ç’bënte spiuni i Ramës me dhjetëra mijëra dollarë cash që ia jepte në dorë dhe në një parkim të zymtë numrit një të kundërspiunazhit të fuqisë numër një në botë. Me kë tallet kjo palo drejtësi?
Çfarë i duhet asaj më shumë të hulumtojë kur rezulton se miliarderi oligark rus, Deripaska, mik i terroristit numër një në botë, Vladimir Putin, ka marrë autorizim nga qeveria Rama të instalohet me investime në Shqipëri? Sigurisht, ndërmjet Shkëlzen Berishës dhe Oleg Deripaskes, drejtësia shqiptare ka ditur ta nuhasë ku fle rreziku i vërtet për shqiptaret. O tempora, o mores! Zonja ambasadore amerikane që e do aq shumë Shqipërinë dhe gjuhën shqipe amanet të mos largohet nga vendi ynë pa mësuar dhe këtë proverb, që i shkon aq shumë për shtat sot drejtësisë që ajo ka krijuar dhe bekuar në këtë vend: fshati digjet… drejtësia krihet”. Drejtësia qëndron në themel të një demokracie. Kur humbet besimi te drejtësia, humbet besimi te demokracia dhe rruga i hapet populizmit deri në kaos.
Nuk mjafton sot që Shqipëria të jetë aleate e SHBA-ve dhe që është vend i NATO-s. Pasi aleat i SHBA-ve dhe vend i NATO-s është dhe Turqia, por ne nuk duam në Shqipëri një drejtësi allaturke. Me mbylljen e syve ndaj veprave penale të më fortit që mban pushtetin, dhe më keq akoma, me vënien e axhendës së saj në shërbim të më të fortit në pushtet që i urdhëron drejtësisë të sulmojë opozitën, kjo drejtësi re e Dumanit, po tregon vetëm një gjë, se ajo nuk vlen më shumë se ajo e Erdoganit. Nëse në ditët e ardhshme do të ketë kaos në Shqipëri, përgjegjësi nuk do të jetë Edi Rama sepse asnjë drejtësi në botë nuk i imponon një hajduti të vetëdenoncohet.
Përgjegjësi i vetëm i çudirave që ndodhin në vendin tonë është sistemi ynë i drejtësisë në shërbim të pushtetmbajtësve shqiptarë dhe kurrsesi në shërbim të popullit shqiptar. I japim sot, solemnisht, kësaj drejtësie mjerane për të arnuar sadopak imazhin e saj të bastarduar, 48 orë ultimatum që të thërrasë apo të shkojë ta marrë me forcën publike Edi Ramën të japë shpjegime mbi furtunën që ka shpërthyer matanë Atlantikut. Nuk duhet lënë opozita të bëjë “vetëdrejtësi” me “revolucion”, sepse shqiptarët e paguajnë shtrenjtë drejtësinë për të pasur një farë drejtësie. Shqiptarët, jo si të njerkës, por si të nënës, ashtu siç janë amerikanët, kanë nevojën legjitime të dinë çfarë ka ndodhur në këtë skandal shtetëror dhe si kanë abuzuar përfaqësuesit e tyre më të lartë në emrin e tyre. Të veprojë drejtësia shqiptare si ajo amerikane që ka dy vjet që heton dhe tashmë gjykon shtetasin e saj të implikuar në krim.
Dosjen amerikane, drejtësia jonë e ka në dorë sepse është e pamundur që ambasadores US në Tirane që nuk i shpëton asgjë të shkonte dhe të hante amareta në SPAK pa folur për dosjen që ziente tashmë në një pjesë të shtypit amerikan. Çfarë ironie kur kujtojmë se vetëm mbi bazën e disa artikujve, shtypi DASH-I i Blinkenit shpalli Berishën “non grata” për korrupsion të rëndë që cenonte Amerikën e madhe. Por, kur përtej artikujve të shtypit ekziston një dosje po aq reale sa një mal i kopsitur vetë nga drejtësia e Antony Blinken, me përgjime e fotografime që fakton jo një legjendë, por veprën penale të korrupsionit aktiv të një lideri ballkanik ndaj një nëpunësi të lartë amerikan, kjo nuk meritoka të paktën nja fletëthirrje nga drejtësia shqiptare për Edi Ramën që të japë versionin e tij mbi çka di?
A nuk quhet kjo drejtësi parodi? Pa humbur asnjë orë me shumë kohq, drejtësia e Shqipërisë të thërrasë Edi Ramin këtu, siç u thirr MacGonigal atje. Sensi i drejtësisë na lejon po ashtu t’i drejtohemi publikisht Departamentit Amerikan të Shtetit të tregohet i drejtë e ta shpallë edhe Edi Ramën non grata, sepse qimja në syrin e Berishës për të cilën akuzohet dhe pa prova, duket qesharake përballë traut në syrin e Edi Ramës. Ky tra moral ra tani përfundimisht, por populli shqiptar nuk duhet të përflitet e të tregohet me gisht. Ky popull është viktimë e liderëve të tij dallkaukë që perëndimi i mbulon për interesa gjeopolitikë.
E së fundmi, goodbye ambasador. E dinim që po ecnit në rrugë të gabuar, por s’e kishim menduar kurrë se do të largoheshit në mënyrë kaq të shëmtuar, kur i kërkonit drejtësisë shqiptare të kapte djajtë me qerre, ndërkohë që Djalli me D të madhe fshihej nën pallton tuaj. Një dështim kaq i madh, qoftë aksidental apo i qëllimshëm, patjetër që do t’ju ndjekë gjatë gjithë karrierës si fantazma e Makbethit mbretin Lear. Ja pse ju dhe paraardhësit tuaj nuk e harroni Shqipërinë. Sepse shqiptarët ju duan dhe ju besojnë kaq sinqerisht dhe naivisht sa tradhtia që ju bëni duke mbyllur sytë ndaj pushtetarëve të tyre pa skrupuj ju vret ndërgjegjen kudo që do të ndodheni. Të paktën ta shpresojmë kështu për “shpëtimin” e ndërgjegjes suaj…