Nga francezët te patronazhistët e Ramës, frika dhe rreziku i prodhimit të pasaportave nga shteti

0
181

Në vitin e dhjetë të qeverisjes kur ka dhënë me koncension çdo shërbim e pasuri publike si të ishte plaçkë e tij, Edi Rama bëri një kthesë të papritur kur njoftoi se do të krijojë një kompani publike për prodhimin e dokumenteve biometrikë të shqiptarëve. Ministri i tij i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se me përfundimin e kontratës koncensionare me kompaninë franceze “Aleat Idemia Group” ky shërbim nuk do t’i jepej më një tjetër kompanie private dhe as do të kishte rinovim me grupin aktual. Ky vendim nuk mund të mos kalonte në heshtje sidomos nga ndërkombëtarët që njësoj si ne kanë parë shkërmoqjen e shtetit dixhital të Edi Ramës, rrjedhjen masive të të dhënave përmes patronazhistëve dhe goditjen e hakerave iranianë.

Presioni i SHBA dhe BE

Një burim diplomatik i tha Lapsi.al se amerikanët, por edhe Brukseli zyrtar janë shumë të shqetësuar për këtë lëvizje të Edi Ramës për të marrë në dorë të dhënat sensitive për të cilat qeveria e tij nuk ofron asnjë garanci se nuk do të keqpërdoren. Javë më parë, tregon burimi diplomatik për Lapsi.al, ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka zhvilluar një takim kokë me kokë me Ministrin e Brendshëm të cilit i ka ngritur këtë shqetësim.

Kim i ka sjell në vëmendje infrastrukturën e dobët që ka shteti shqiptar për të garantuar sigurinë e këtij shërbimi dhe ruajtjen e të dhënave si dhe goditjen e para disa muajve nga e cila ne nuk e kemi marrë ende veten. Amerikanët nuk e kanë lënë me kaq, por kanë thirrur në ndihmë edhe europianët duke iu kërkuar të ushtronin presion tek Shqipëria. Po me Ministrin e Brendshëm ka zhvilluar takim edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann, shtoi burimi diplomatik i Lapsi.al

Ajo i ka ngritur zyrtarisht këtë shqetësim me po të njëjtat argumenta si ambasadorja e SHBA. Megjithatë duket se këto përpjekje janë të kota sepse Edi Rama po shkon drejt ngritjes së kompanisë shtetërore që do të prodhojë pasaporta dhe karta identiteti për shqiptarët nga mesi i këtij viti dhe në vijim.

Siç mëson Lapsi.al pritet që në mbledhjen më të afërt të qeverisë të kalojë VKM-ja për krijimin e kompanisë publike ndërsa grupe të përbashkëta pune nga qeveria dhe koncensionari “Aleat” po punojnë për procesin e dorëzimit të aseteve dhe shërbimit tek shteti. Afati i kontratës me kompaninë franceze në të cilën janë aksionerë dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit përfundon në muajin korrik. Pas këtij muaji e në vijim shërbimin e merr shteti shqiptar. Kompania e re do të ketë një administrator dhe një bord drejtues.

Frika

Skandali me patronazhistët të cilin Lapsi.al e denoncoi i pari nuk ishte i vetmi që na tregoi shpartallimin e shtetit dixhital të Edi Ramës. Ajo u pasua me sulmin ndaj e-Albania, rrjedhjen e databazës së pagave, targave, numrave të telefonit, goditjen e sistemeve të Policisë së Shtetit dhe deri tek të dhënat e sistemit bankar. Kaq është mjaftueshëm për dëshmuar paaftësinë e shtetit tonë për të mbrojtur të dhënat sensitive.

Pavarësisht se janë hedhur miliona euro përmes AKSHI-t dhe institucioneve të tjera publike për mbrojtjen kibernetike, në fakt ishin hakerat iranianë dhe patronazhistët e partisë-shtet që hidhnin valle sa herë donin. Shqetësimi i përbashkët i ndërkombëtarëve në këtë rast është, se shtetëzimi edhe i këtij shërbimi nuk garanton sigurinë për dokumentet biometrike të shqiptarëve.

Rreziku

Marrja në dorëzim e një kompanie ndërkombëtare me standarde të larta sigurie dhe menaxhimi i saj nga patronazhistët dhe klientela e Edi Ramës duket një vendim i kalkuluar mirë. Jo vetëm për të garantuar fitime të larta që në 2019 kapën shifrën rekord prej 15.5 milionë euro neto, por sidomos për të lehtësuar nisma të tjera të rrezikshme siç është amnistia fiskale apo Pasaportat Gold.

Gjurmët e gishtave janë të dhëna shumë sensitive të cilat janë ruajtur me fanatizëm dhe standard të lartë nga kompania “Aleat”, e cila nuk ia ka dorëzuar shtetit shqiptar pikërisht sepse s’kemi infrastrukturën e duhur për t’i garantuar. Me kalimin në administrim shtetëror të kësaj kompanie shtohen dyshimet se njerëz me rekorde kriminale mund të penetrojnë më kollaj për t’u pajisur me pasaporta me identitet të rremë.

Ndërsa nga ana tjetër qeveria deri më tani ka si argument të fortë vetëm mundësinë e rishikimit me ulje të çmimit të pasaportave dhe thjesht justifikimin formal të përfundimit të kontratës koncensionare. Shumëkush kur mendon se pasaportat dhe ID e shqiptarëve pas disa muajsh do të prodhohen nga drejtorët dhe patronazhistët e Edi Ramës, sjell ndërmend shprehjen thumbuese “Njësoj si t’i varësh ujkut mëlçitë e qingjit në qafë…” ©LAPSI.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here