Partia e Lirisë përmes Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka deklaroi se shifrat e largimit të të rinjve nga Shqipëria rriten çdo ditë.
Nga foltorja e PL-së, Caka theksoi se të rinjtë që rrezikojnë edhe jetën e tyre për të kaluar La Manche-n, me qëllimin e vetëm të largohen nga Shqipëria, janë prova më e pastër e keqqeverisjes së vendit, i cili bën çdo gjë që ka në dorë për të shpopulluar Shqipërinë.
“Por çfarë ndodh në Kosovë? Paketa “Superpuna”, e prezantuar në Kosovë, synon punësimin e jo pak, por 10.000 të rinjve nga mosha 18-25 vjeç. Nëpërmjet kësaj politike, shteti, pra qeveria e Kosovës synon të subvencionojë të plotë pagën minimale, pra 264 Euro, duke dhënë mundësinë e një page akoma edhe më të lartë se kaq.
Pra qeveria e Kosovës, jo vetëm punon për të ndalur largimin e rinisë e krahut të punës, por njëkohësisht ndihmon edhe kompanitë private, të cilave nëpërmjet këtij subvencionimi, iu jepet shansi të administrojnë më mirë shpenzimet e tyre administrative e të rrisin edhe pagat e punonjësve të tyre.
Të rinj të shkolluar që sigurojnë kontrata pune të mirëpaguara apo edhe të rinj që rrezikojnë edhe jetën e tyre për të kaluar La Manche-n, me qëllimin e vetëm të largohen nga Shqipëria, janë prova më e pastër e keqqeverisjes së vendit, i cili bën çdo gjë që ka në dorë për të shpopulluar Shqipërinë.
Dhe shembulli më konkret se si duhet të jetë një qeverisje e përgjegjshme, na vjen jo thjesht nga vendi ynë fqinj, por nga vëllezërit tanë në Kosovë, të cilët në të kundërt nga qeverisja e Shqipërisë, bëjnë çfarë munden për të mbajtur të rinjtë në vend e për të frenuar largimin e tyre.
Të dhënat që na vijnë nga Kosova janë të shkëlqyera për të rinjtë atje, por njëkohësisht reflektojnë mjerimin e madh që po përjetojnë të rinjtë e Shqipërisë.
Ndërsa në Shqipëri një kilometër rruge kushton 23 milionë euro, ndërsa paguhen 80.000 Euro/ditë për inceneratorët që nuk ekzistojnë, ndërsa me paratë e shqiptarëve paguhen lloj-lloj të korruptuarish për të minuar demokracinë e pluralizmin politik, në Kosovë punohet realisht për të ndalur largimin e të rinjve.
Por ndërkohë çfarë ndodh në Shqipëri?
Shqipëria shkon drejt greminës së shpopullimit, sepse qeveria di vetëm të vjedhë e të zhvatë.
Raporti i krahasuar i largimit të të rinjve mes Kosovës dhe Shqipërisë është 1 me 4, pra nëse në Kosovë largohet 1 i ri, nga Shqipëria largohen 4 të rinj, por kjo nuk përbën asjë shqetësim për qeverinë tonë, e cila ka qëllim spastrimin e vendit tonë.
Në vend që qeveria të hapte vende të reja pune, ajo synon të vjedhë çdo tender që i del rrugës, të falimentojë e të shuajë çdo bashki në Shqipëri, t’ia japë fondet e start-up-eve shoqeve të ministres e fëmijëve të oligarkëve, të paguajë 430 milionë euro për inceneratorët që nuk ekzistojnë, të ndërtojë Portin e Durrësit e të japë miliarda euro koncensione e tendera sekretë.
Megjithatë shqiptarët e kanë një shans të madh; shansi i çmuar i protestës së 11 Shkurtit është një mundësi që shqiptarët nuk do t’a lënë të ikë, duke i treguar Edi Ramës dhe kujtdo që është pas tij, se ëndrrave me tirani e shtypje të shqiptarëve, iu ka ardhur fundi”, deklaroi Silva Caka.