Protesta e thirrur nesër nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës ditën e nesërme, që pritet të nisë në orën 12:00.
Si në çdo protestë, mësohet se do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Ndërkohë, në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Po ashtu raportohet se dyert e Kryeministrisë pritet të blindohen me veshje metalike. Aktualisht Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Mes të tjerash, segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar rreth 1 orë para protestës deri në përfundim të protestës, janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.