Ansamblit të kullave në qendër të Tiranës do t’i shtohet edhe një tjetër qiellgërvishtës gjigand.
Bashkia e Tiranës ka hyrë në marrëveshje me kompaninë “Ideal construction” për ndërtimin e një kulle të madhe tek ish-Dhoma e Tregtisë, ngjitur me Eyes of Tirana.Sipas marrëveshjes, e cila është miratuar nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 25 janar, bashkia do t’i japë 1100 metër truall shtetëror, përfshire godinën e Dhomës se Tregtisë, kompanisë Ideal Construction dhe në këmbim do të marrë 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore në kullën e re.Detajet për numrin e kateve dhe sipërfaqen ndërtimore të kullës së re do të përcaktohen kur të merret leja e ndërtimit.
Por sipas vendimit të Këshillit bashkiak, bëhet fjalë për një ndërtesë të madhe me intensitet ndërtimi 10.1.
Marrëveshja tregon se Bashkia e ka dhënë tokën me çmime tregu duke përfituar në këmbim 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore, përafërsisht aq sa marrin dhe pronarët private kur hyjnë në marrëveshje me ndërtuesit.
Por ngulja e një çibani të ri betoni në qendrën e mbingarkuar të Tiranës ngre pikëpyetje në aspektin urbanistik dhe atë historik te kryeqytetit.
Kulla e re zhytet sandviç mes ‘Eyes of Tirana’ dhe pallatit ku gjendet banka ‘Raiffeisen’ në hyrje të Rrugës së Kavajës, duke krijuar një kompleks intensiv betoni në qendrën e kryeqytetit.
Përveç kësaj, ‘Ideal Construction’, kompania në pronësi të Armand Lilos është e njëjta që ndërtoi kullën Eyes of Tirana duke shtuar tetë kate pa leje.
Shkelja e lejes së ndërtimit klasifikohet si vepër penale dhe sipas ligjit shoqërohet edhe me sanksione administrative, deri në heqjen e licencës.
Në këtë pike lind pyetja: A duhet të hynte bashkia e Tiranës në marrëveshje biznesi duke i dhënë tokë shtetërore për zhvillim një kompanie, e cila shkel lejen e ndërtimit dhe ligjet në fuqi? /MCNTV