Kur në muajin dhjetor Serbia vendosi forcat ushtarake në gjendje gatishmërie të lartë luftarake, në kundërpërgjigje të dhunës mes policisë dhe protestuesve të pakicës serbe në veriun e Kosovës, aksioneri i një qendre të re tregtare në Prishtinë, filloi të merrte telefonata nga investitorë të nervozuar.
“Ata na thanë se për shkak të trazirave gjatë muajit dhjetor në veriun e Kosovës, autoritetet në Prishtinë deklaruan se ishin gati për luftë. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë erdhi në Rashkë dhe kjo ishte një situatë shumë e tensionuar: bizneset shumëkombëshe të cilat duhej të hynin në Kosovë për herë të parë na thanë se po shtynin hapjen e dyqaneve për shkak të situatës së brishtë. Për ta Kosova ishte një vend i rrezikshëm. Konflikti në Ukrainë vendosi një shembull të keq, dhe ne vuajtëm pasojat”, thotë Fatmir Zymberi.
Ai shtoi se në kulmin e tensioneve në muajin dhjetor një bankë e huaj tregtare, kishe shtyrë për një kohë të pacaktuar lëvrimin e një kredie të rëndësishme prej 40 milion eurosh për qendrën. “U kërkoj politikanëve në Kosovë të trajtojnë seriozisht dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. E di që Kosova nuk mund të fajësohet për këtë çështje po një zgjidhje duhet gjetur; ata duhet të tregohen pragmatik dhe të gjejnë një zgjidhje. Minimalisht të mos mendojnë për luftë”.
Diplomacia intensive perëndimore parandaloi një rrëshqitje të frikshme drejt konfliktit të armatosur në prag të15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia më 17 shkurt. Në vitin 2013, pas disa vitesh negociata të ndërmjetësuara nga BE për të zbutur tensionet, serbëve në veri ju dhanë poste në policinë e Kosovës, gjyqësor, dhe administratën lokale të drejtuar nga Prishtina.
Por 3 muaj më parë ata braktisën të gjitha institucionet në shenjë proteste ndaj vendimi të qeverisë së Prishtinës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS. Edhe pse konflikti lidhur më çështjen është qetësuar, ka shqetësime se gjakrat mund të rindizen.
“Më duhet të them se jam më i shqetësuar se kurrë më parë në shumë vite për rrezikun e një konflikti vdekjeprurës në veriun e Kosovës që mund të nxisë më pas reprezalje ndaj serbëve në Kosovën jugore. Mund të ketë sulme hakmarrëse edhe ndaj shqiptarëve në veri”, thotë Marko Prelec, analist për Ballkanin.
Burimi kryesor dhe i kahershëm i tensioneve është refuzimi i 50 mijë serbëve etnikë në veriun e Kosovës për të njohur qeverinë në Prishtinë, ose Kosovën si shtet të Pavarur. Ata e konsiderojnë Beogradin si kryeqytetin e tyre, dhe kushtetuta serbe e trajton ende Kosovën si një pjesë integrale të territorit të vet. Zona në veriun e Kosovës ku serbët etnikë janë në shumicë, duket në disa aspekte si një zgjatje e Serbisë. Mësuesit, mjekët dhe punonjësit e sektorit publik në rajon marrin paga dhe benefite nga Beogradi. Banorët e komunave me shumicë serbe nuk i paguajnë taksa as Beogradit e as Prishtinës, e as nuk përgjigjen për energjinë e siguruar nga kompania shtetërore e Kosovës.
Flamujt serbë valëviten nëpër rrugë, murale që e shpallin Kosovën pjesë të përjetshme të Serbisë mund të shihen nëpër mure, ndërsa dyqanet preferojnë të shërbejnë me dinarë e jo euro, monedha që përdoret në pjesën tjetër të Kosovës.
“Nëse flasim për të gjitha problemet me të cilat përballemi sot krahasuar me 15 vite më parë, ndryshimi është se ne nuk kemi një konflikt mes popullit shqiptar dhe serb, dhe kjo është e rëndësishme të theksohet. Serbët në veri dhe në jug nuk kanë gjë me fqinjët shqiptarë. Ata e kanë problemin me regjimin anti-serb të Albin Kurtit në Prishtinë, i cili shfrytëzon sistematikisht institucionet për të shantazhuar serbët”, thotë Igor Simic, pjesëtar i Listës Serbe.
“Ka shqetësime të shtuara pasi dhuna institucionale vijon të praktikohet kundër këtyre njerëzve, kundër popullit serb, pavarësisht të gjitha proceseve që janë zhvilluar, edhe pse serbët në jug të lumit Ibër janë integruar në disa mënyra. Serbët vijojnë të jetojnë në pasiguri lidhur me të ardhmen dhe perspektivat e tyre”, thotë Dalibor Jevtić, kyebashkiak i Strpces.
50 mijë serbë të tjerë jetojnë në zonat me shumicë shqiptare në jug, lindje dhe perëndim të qytetit të nxehtë të Mitrovicës, dhe drejtojnë automjete me targa të Kosovës, paguajnë taksat dhe faturat e energjisë, dhe e njohin shtetin e pavarur.
62-vjeçari Slavoljub Djuric, merret me rritjet e derrave dhe pulave në fermën familjare, dhe është një prej 250 familjeve serbe që jetojnë në fshatin perëndimor të Osojane. Ai thotë se Kurti dhe Vuçiç duhet të gjejnë një kompromis për hir të qytetarëve. “Kurti dhe Vuçiç, dua t’iu përcjell të njëjtin mesazh të dyve; tregoni guxim, ngrini zërin dhe merrni masa për njerëzit, pavarësisht etnitetit të tyre. Kombësia nuk ka rëndësi. Bëni diçka për të përmirësuar jetët e njerëzve të cilët nuk kanë faj. Unë dua të jetoj këtu nëse siguria jonë garantohet”, thotë ai.
Autoritetet në Kosovë thonë se nuk e duan një tjetër konflikt në Kosovë, por se nuk do të bëjnë kompromis me integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe as jetët dhe mirëqenien e qytetarëve në atë rajon. “Ne nuk do të bëjmë kompromis mbi sundimin e ligjit dhe rendin, e as për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, apo jetëve e mirëqenien e qytetarëve në atë rajon. Mi këto çështje nuk mund të ketë kompromis. Nuk e duam absolutisht një konflikt tjetër në Kosovë.”, thotë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
15 vite pas pavarësisë, një numër shtetesh anëtare të OKB, përfshirë edhe disa vende të BE me pakicat e tyre të frustruara, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ndërsa Rusia dhe Serbia vijojnë të bllokojnë Prishtinën t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare. Pasiguria e ligjshme dhe paqëndrueshmëria qe varen mbi Kosovë ka penguar shumë investitorë dhe e ka lënë vendin mes më të varfërve në Europë, me 1/3-tën e fuqisë punëtore të papunë.