Sërish kjo e diel i ka gjetur në protestë banorët e Bërxullës në Tiranë, të cilët kundërshtojnë projektin për rrugën Thumanë-Kashar.
Nga projekti në fjalë është parashikuar që të shemben disa banesa dhe të preken disa toka të këtyre banorëve, të cilët janë kundër vlerës së shpronësimit.
Në një prononcim për News24 një banor që preket nga ky projekt ka sulmuar ashpër qeverinë Rama, ndërsa pohon se deputetët kujtohen të shkojnë në terren vetëm kur janë zgjedhjet. Protestuesi tha për gazetarin Osman Stafa se nëse shteti nuk ka lekë t’i shpronësojë, atëherë banorët të bëhen aksionerë me kompaninë e ndërtimit.
“Nuk e çajnë kokën për popullin, e duan vetëm për votë. Kemi mbi 150 ditë që kërkojmë dialog. Institucionet dhe kompanitë kanë përplasje mes tyre. Nëse shteti ynë është kaq fukara dhe i padenjë, këtu nuk shihet as kryetari i bashkisë as deputeti. Ai deputet përfaqëson krimin, dhe jo popullin. Themi; ‘hajde të ulemi në dialog’. Na bëni aksioner me firmën ndërtuese nëse nuk kanë lekë. Qeveria dhe Edi Rama tallen me taksat e popullit. Ai nuk pranon as të ulet, në Kuvend nuk shkon, te ne nuk vjen, ç’e do! Ai është kryeministër mbetje. Ne s’kemi as armë, as raketa që t’i luftojmë, as pushtet, nuk dimë ça të bëjmë. Bëhen protesta gjithandej, por ka dialog. Ne jemi për zhvillim, por jo të na shpronësosh ne si një litër vaj ulliri. Kjo është qeveri e papërgjegjshme, e korruptuar. Falënderojmë Zotin që i doli hirra këtij kryeministri tradhtar!”, tha ai.