Përmes një postimi në rrjetet sociale Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka shprehur shqetësimin e saj për planin e ndërtimeve Drilon-Tushemisht, buzë liqenit të Ohrit në Pogradec.
Ajo akuzon drejtpërdrejtë qeverinë për keqmenaxhim, teksa ka përmendur që skenari i planit të ndërtimit është i ngjashëm me atë të Butrintit dhe se po injorohet dhe UNESCO.
Në njoftim ajo shkruan :
Zona e rëndësisë kombëtare Drilon- Tushemisht buzë liqenit të Ohrit përgatitet plani për ndërtime dhe shkatërrimin e tij.
Asgjë e papritur nga modeli i keqmenaxhimit që njeh qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Kulturës, ku edhe në investigimin e BIRN dallojnë përgjigjet “pa këmbë në tokë” të gjuhës nënvlerësuese për UNESCO-n.
Skenari ka shumë pika të përbashkëta me Butrintin:
1- Tentakulat e AADF (fondacion privat dhe interesa private)
2- Moskokëçarja dhe injorimi i kërkesave të UNESCO-s, duke e konsideruar si dorë të dytë (këshilluese që nuk e dëgjon njeri)
3- Përdorimi i metodës së copëzimit të mbrojtjes, duke hequr zona të tëra nga mbrojtja dhe duke i destinuar për ndërtime.
4- Shkatërrimi pa asnjë keqardhje i pasurisë dhe trashëgimisë kombëtare me rëndësi botërore.