Analisti Eton Abilekaj tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se qeveria e Edi Ramës nuk rrëzohet me votë, sepse ai e ka zhvlerësuar votën dhe nuk lejon garë të barabartë mes partive politike.
“Kemi të bëjmë me një pushtet që i ngjan shumë një regjimi që nuk lejon që pushteti të ndërrohet me votë dhe me zgjedhje, që e ka zhvlerësuar votën, që nuk lejon të drejta të barabarta në asnjë drejtim dhe garë të barabartë mes partive politike, atëherë kemi të bëjmë me një sistem e regjim, quajeni çfarë të doni, i cili nëpërmjet votës është e pamundur të largohet. A është ky si sistemi komunist? Është i ngjashëm tani për pushtetin që ka.
Ne rrëzuam një sistem komunist me një lëvizje studentore dhe nuk arriti të quhej revolucion, prandaj them se kjo fjalë është pak më e madhe. Ajo që ka parasysh opozita me revolucion mendoj se ka të bëjë me mosbindjen civile, me protestat që duhet të shoqërojnë rrëzimin e kësaj qeverie. A ka mundësi që me protesta dhe mosbindje civile të fitohen zgjedhjet? Unë mendoj se nëse do të ndiqet kjo rrugë, nuk do të ndryshojë mënyra se si ata i zhvillojnë zgjedhjet.
Ndërkohë që Luçiano Boçi po kandidon në Elbasan, flet në studio e takon njerëz, kundërshtari i tij merret me faktorë të tjerë nëntokësorë, që të zgjidhet dhe rezultatin ta manipulojë. Luçiano Boçi, me zgjedhje, edhe me gjithë këto protesta, e ka të vështirë të fitojë, ashtu siç e ka të vështirë edhe partia e tij.
A mund ta vazhdojnë edhe zgjedhjet, edhe revolucionin për të mundur Ramën? Unë jam skeptik, para se ta konstatonte Berisha, se ky rregjim, ky pushtet, nuk rrëzohet me votë. Kjo është e vërtetë”- tha Abilekaj.