Kuvendi nis shqyrtimin e projektligjeve të depozituara për pastrimin e funksionarëve publik nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Gara mes grupimeve politike se kush do të mbante autorësinë e lustracionit bëri që në Kuvend të depozitoheshin pesë nisma, por të parat që u morën në shqyrtim ishin ato të socialistëve dhe të Enkelejd Alibeajt.
“Gjithsecili që në të shkuarën regjistron rekorde bashkëpunimi me sigurimin e shtetit nuk meriton të jetë protagonist në jetën shoqërore dhe politike në vend”, tha Ermonela Felaj. Socialistët kanë depozituar dy nisma, ku lustracionin kërkojnë ta fusin edhe tek drejtimi i partive politike. “Kryetar të partive politike të mos jenë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit”, shtoi Felaj.
Për demokratin Enkelejd Alibeaj, propozimi i dytë lidhet direkt me shtetasin e famshëm I.M të dalë nga Autoriteti i dosjeve që i referohej Ilir Metës dhe kërkoi që kjo dosje të zbardhet deri në fund. “Të mos e shohin këtë si një luftë politike, në fakt siç ndodhi me ligjin për hapjen e dosjeve të 5-6 muajve më parë. Meqë ra fjala, ajo çështja që e vuri në lëvizje hapjen e dosjeve duhet të shkojë deri në fund”, tha Alibeaj.
Pas këtyre tre projektligjeve, radhën e kanë demokratët e Sali Berishës të cilët do të parashtrojnë propozimin e tyre. Por miratimi i nismave kërkon domosdoshmërish konsensus politik pasi duhen minimalisht 84 vota.