Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehet i bindur tek fitorja e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit në bashkitë e Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit.
Në një konferencë për mediat nga Elbasani, Meta deklaroi se historia me lojrat në zgjedhje ka marrë fund.
Sipas tij, opozita është garante e shprehjes së qytetarëve, teksa theksoi se PL dhe PD synojnë të kthejnë transparencën dhe llogaridhënien në bashkitë e vendit.
Meta: PL do jetë garanci e rivendosjes së llogaridhënies dhe transparencës për çdo shërbim që ka bashkia ndaj qytetarëve pa kushte. Me përultësi. Shumë shpejt Elbasani do të jetë kampion në fushën e arsimit. Të mos jetë i pari për polarizim social, por të jetë i pari sa i përket zhvillimit ekonomik pasi i ka të gjitha mundësitë.
Ne si PL kemi bërë një marrëveshje me PD, do mbështesim kudo kandidatët e primareve. Ne e mbështesim në Elbasan dhe çdo bashki tjetër. Kandidatët janë tanët dhe opozitës kudo që janë. Marrëveshja jonë është e qartë, këshillat bashkiakë i takojnë qytetarëve. Do ketë seanca të posaçme ku do vijnë vetë qytetarët për të folur për problemet që kanë. Gjithçka është shumë e qartë dhe e ndershme. E para gjë që duam, është transparenca dhe llogaridhënia. Ky është misioni i këshilltarëve tanë që do e përmbushin me qytetari.
Pritshmëritë janë absolute për një fitore bindëse në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Për qarkun e Elbasanit, situata në të gjithë qarkun, e di shumë mirë si është. Bashkia e Elbasanit do i kthehet qytetarëve, edhe për Përrenjasin dhe bashkitë e tjera do fitohen nga opozita. Opozita është garante e shprehjes.
Pyetje: Sa garanci keni që do mbrohet vota?
Meta: Elbasani do ishte kampion për keq, për vrasjet dhe krimin. Rendi e ka impaktin direkt tek çështja ekonomike. Kush ka merak se do ndodhë në 14 maj ajo që ka ndodhur më 25 prill, le ta presi. Ne nuk cënojmë asnjë. Historia e lojrave me zgjedhjet, ka mbaruar, ka përfunduar. E them me përgjegjësi të plotë si PL dhe si Ilir Meta.