Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për Guvernatorin e Sardenjës Christian Solinas, dhe tre zyrtarë të tjerë të lidhur me të, pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas mediave Italiane, Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë e ka pajisur atë me një titull ‘Honoris Causa’ në kushte vërtet shumë të çuditshme, me kushtin për të emëruar një person në autoritetin që merret me energjinë në Itali, me emrin Roberto Rajmondi.Po ashtu thuhet se ai është emëruar edhe profesor i jashtëm në këtë fakultet.
Ky i fundit do të paguhej 140 mijë euro në vit. Raimondi ishte drejtor i sektorit së Doktoratës të Universitetit Publik të Mjekësisë të Tiranës.
Sipas mediave italiane, është e paqartë sesi më pas Solinas do arrinte ta justifikonte këtë diplomë, pasi në kohën kur pretendohet se e ka marrë, ka qenë drejtues i Rajonit të rëndësishëm të Sardenjas.
Por ky nuk do të ishte rasti i parë që ai do të kishte kontradikta me “këtë histori”, pasi edhe më herët kishte deklaruar se kishte një titull akademikë në Universitetin Leibnitz të Milanos, gjë që është mohuar nga Ministria Italiane e Arsimit.
Këto dyshime kanë bërë që prokurorë nga Cagliari të vijnë drejt Tiranës për të zbardhur gjithçka.
“Në fakt, ai kishte një diplomë të shkëlqyer në sociologji nga Universiteti Leibnitz i Milanos. Megjithatë, ajo nuk njihet nga MIUR. Solinas u diplomua në drejtësi në 2018 nga Universiteti i Sassarit . Por universiteti ka refuzuar gjithmonë të shfaqë tezën duke e konsideruar atë të mbrojtur nga privatësia. Tani vjen kjo histori kurioze e diplomës së mjekësisë në Tiranë”, shkruajnë gazetarët italianë”, shkruajnë mediat italiane.