2 muaj para zgjedhjeve vendore, Akademia e Policisë njofton rihapjen e aplikimeve për 300 vende

0
287

Kur na ndajnë më shumë se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, qeveria vendos të hapë vende të reja pune në shtet.

Kjo pasi Shkolla e Policisë njofton rihapjen e aplikimeve për 300 vende, për “Patrullë të Përgjithshme” në Kolegjin Profesional, në Akademinë e Sigurisë, me qëllim plotësimin e vendeve të lira në 9 drejtori vendore të Policisë. Me qëllim përzgjedhjen përmes një procesi konkurrimi transparent, të aplikantëve më të mirë dhe më të përgatitur, Policia e Shtetit rihap aplikimet për plotësimin e vendeve të lira, në drejtoritë vendore të Policisë në qarqet: Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, dhe janë të ndara sipas nevojave organike të Drejtorive Vendore të Policisë. Aplikimet janë të hapura deri në datën 15.03.2023. Secili nga aplikantët duhet të dorëzojë dokumentacionin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku ai ka vendbanimin e përhershëm.

Theksojmë faktin se aplikimet e bëra nga data 15.11.2022 deri në datën 30.12.2022, pranë Drejtorive Vendore të Policisë, janë të vlefshme, dhe ata aplikantë që kanë kaluar fazën e verifikimit të dokumentacionit, do të vijojnë me fazën e radhës, atë të testimit teorik, në datën që do njoftohen nga strukturat e burimeve njerëzore në DVP-në ku kanë aplikuar.

Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here